Last Updated on 11/11/2026 by Monika
Jensen Huang, themeluesi dhe drejtuesi i Nvidia-s, po përballet me një krizë që mund të vërë në pikëpyetje të ardhmen e tij në krye të një prej kompanive më të fuqishme të teknologjisë në botë.
Pas publikimit të pretendimeve për një marrëdhënie me një sipërmarrëse kineze, e dyshuar nga autoritetet amerikane për lidhje me inteligjencën e Pekinit, mbi Huang janë shtuar presionet nga aksionerët dhe bordi drejtues i kompanisë. Çështja ka marrë përmasa edhe më të mëdha pas nisjes së një hetimi të pavarur për të verifikuar nëse drejtuesi i Nvidia-s është përfshirë pa dijeninë e tij në një operacion të mundshëm spiunazhi. Ndërkohë, në platformën e basteve Polymarket kanë nisur të qarkullojnë parashikime për largimin e tij nga drejtimi i kompanisë.
Në qendër të hetimeve është Alice Huang, një sipërmarrëse e lidhur me kompaninë e shërbimeve cloud Megaspeed, e dyshuar për lidhje me Pekinin. Sipas pretendimeve të publikuara në mediat amerikane, përmes një rrjeti kompanish të lidhura me të dhe familjarët e saj mund të jenë lehtësuar furnizime me çipa Nvidia drejt kompanive kineze, me një vlerë që arrin të paktën 7.5 miliardë dollarë.
Dyshimet lidhen me mundësinë që teknologjia amerikane të ketë përfunduar në duart e subjekteve kineze, duke shmangur kufizimet e eksportit. Kina i ka hedhur poshtë akuzat për spiunazh, duke i cilësuar ato si një fushatë denigruese. Deri tani nuk ka një përfundim zyrtar që të provojë se Huang ka bashkëpunuar me inteligjencën kineze apo se sekretet e kompanisë janë komprometuar.
Bordi drejtues i Nvidia-s ka nisur një hetim të pavarur për të sqaruar rrethanat e çështjes, ndërsa disa aksionerë kanë ndërmarrë edhe veprime ligjore, duke akuzuar kompaninë dhe drejtuesin e saj se kanë fshehur informacione të rëndësishme. Nvidia ka deklaruar se nuk ka prova që sekretet industriale apo interesat e sigurisë kombëtare të jenë komprometuar dhe ka konfirmuar se Huang do të vijojë të drejtojë kompaninë gjatë hetimeve.
Megjithatë, lajmet kanë ndikuar në bursë, ku më 9 nëntor aksionet e Nvidia-s ranë me 4.3%, duke fshirë rreth 190 miliardë dollarë nga kapitali i saj. Ndërkohë, në Polymarket, mundësia që deri më 31 dhjetor 2026 të shpallet zyrtarisht largimi i Huang nga drejtimi i kompanisë vlerësohet në 14%, ndërsa kjo përqindje arrin në 23% nëse afati zgjatet deri më 31 mars 2027. Për investitorët, shqetësimi kryesor mbetet e ardhmja e kompanisë pa njeriun që e ka kthyer Nvidia-n në një nga protagonistët kryesorë të revolucionit të inteligjencës artificiale./mxh
