Last Updated on 11/11/2026 by Monika
Më shumë se një milion njerëz në Liban përballen me pasiguri të rëndë ushqimore, paralajmëruan sot agjencitë e OKB-së, duke kërkuar «veprim urgjent» për përballimin e situatës.
Vendi ka përjetuar dy luftëra të njëpasnjëshme me Izraelin, ndërsa vijon të jetë i zhytur në një krizë ekonomike të paprecedentë, e cila zgjat prej më shumë se shtatë vitesh.
«Më shumë se një milion njerëz përballen me pasiguri të rëndë ushqimore. Ky numër pritet të arrijë në 1,15 milionë deri në mesin e vitit 2027», shifër që përfaqëson pothuajse një të katërtën e popullsisë, thuhet në një deklaratë të përbashkët të FAO-s, Programit Botëror të Ushqimit (WFP) dhe Ministrisë së Bujqësisë së Libanit.
«Mundësitë për punësim mbeten të kufizuara, kursimet e familjeve janë shteruar dhe niveli i borxheve vazhdon të jetë i lartë, ndërsa kostoja e ushqimeve, karburanteve dhe produkteve të tjera bazë vijon të rëndojë buxhetet familjare», theksohet në deklaratë.
Situata «kërkon veprim urgjent» dhe «mbetet veçanërisht shqetësuese në zonat e prekura nga konfliktet në jug», si dhe në rajonet e varfra të veriut dhe të lindjes së vendit.
Autoritetet libaneze e vlerësojnë koston e dy luftërave që Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, ka zhvilluar kundër Izraelit që nga tetori i vitit 2023, në rreth 27 miliardë dollarë.
Lufta e fundit, e cila nisi në mars në mbështetje të Iranit, detyroi më shumë se një milion njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Pas uljes së intensitetit të dhunës në qershor, numri i të zhvendosurve ka rënë në rreth 300 mijë.
Luftërat shpërthyen në një kohë kur Libani, i cili po përjeton një kolaps ekonomik të paprecedentë që prej vitit 2019, ende nuk ka zbatuar reformat e kërkuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), të cilat do të mundësonin aktivizimin e një pakete ndihme financiare për vendin./mxh
