Një prej diamanteve më të rrallë në botë ka tërhequr vëmendjen në tregun ndërkombëtar të bizhuterive luksoze. Bëhet fjalë për “Bulgari Pink”, një gur i çmuar me peshë 24 karatësh dhe nuancë të theksuar rozë, i cili është shitur për 13.1 milionë euro në një ankand të organizuar nga shtëpia prestigjioze Christie’s në Gjenevë.
Diamanti me prerje smeraldi ishte ndër artikujt më të spikatur të ankandit dhe vlerësohej se mund të arrinte një çmim nga 10.8 deri në 16.2 milionë euro. Shitja përfundimtare u realizua brenda këtij intervali, sipas të dhënave të publikuara nga Christie’s dhe të raportuara nga AP.
Përpara se të dilte në ankand, guri i jashtëzakonshëm u cilësua nga Max Fawcett, drejtuesi global i departamentit të bizhuterive në Christie’s, si “Mona Lisa e diamanteve rozë”, një krahasim që pasqyron rrallësinë dhe vlerën e tij të veçantë.
Ajo që e bën edhe më interesant këtë diamant është historia e tij. Besohet se origjina e tij lidhet me minierat e famshme të Golconda-s në Indi, ndërsa që prej blerjes në vitet 1950, ai ka qëndruar për disa dekada në pronësi të së njëjtës familje.
Golconda, në jug të Indisë, njihet si një prej burimeve historike të diamanteve më të famshme dhe më të çmuara në botë, duke i dhënë edhe më shumë rëndësi gurit që tashmë ka ndërruar pronar.
Ankandi në Gjenevë nuk u kufizua vetëm te ky xhevahir. Në të u prezantua edhe një koleksion privat me afro 300 bizhuteri të shekullit XX, ku përfshiheshin krijime të shtëpive të njohura të luksit si Bulgari, Cartier dhe Graff./mxh
