A ju ka ndodhur të refuzoni një darkë apo udhëtim me miqtë sepse ishte shumë i shtrenjtë? Një eksperte financiare shpjegon pse të flasësh hapur për paratë mund të shmangë keqkuptimet dhe të ruajë miqësitë.
Shpesh thuhet se për para, politikë dhe fe nuk duhet folur me miqtë. Por kur vjen puna tek organizimi i një darke, ditëlindjeje apo pushimesh, shmangia e temës së parave mund të kthehet në një problem serioz.
Mjafton që dikush të propozojë një fundjavë jashtë vendit apo një darkë në një restorant të shtrenjtë. Disa mund ta përballojnë pa problem, ndërsa për të tjerët mund të jetë një shpenzim i papërballueshëm.
Megjithatë, shumë njerëz ndihen në siklet të pranojnë se nuk kanë mundësi të shpenzojnë aq shumë dhe përfundojnë duke pranuar plane që rëndojnë financat e tyre.
Trajnerja financiare Peta-Kay, e njohur në rrjetet sociale si @yourfinancept, thotë se kjo mungesë komunikimi është një nga arsyet që mund të dëmtojë miqësitë.
Sipas saj, problemi nis kur njerëzit nuk flasin hapur për pritshmëritë dhe mundësitë e tyre financiare.
Të ardhurat e ndryshme nuk duhet të prishin miqësitë
Pyetja që njerëzit kanë turp ta bëjnë, por mund të
Jo të gjithë kanë të njëjtat të ardhura apo mundësi financiare. Në një grup miqsh mund të ketë persona me profesione dhe paga shumë të ndryshme, dhe kjo është krejt normale.
Ekspertja thekson se dallimet financiare nuk janë problem, për sa kohë miqtë komunikojnë hapur dhe nuk gjykojnë njëri-tjetrin.
Zgjidhja është e thjeshtë: përpara se të organizoni një udhëtim apo aktivitet, pyesni njëri-tjetrin se sa mund të shpenzoni.
Kështu mund të gjeni një alternativë që përballohet nga të gjithë, pa e vënë askënd në siklet. Nëse një person nuk mund të marrë pjesë, duhet të ndihet i lirë ta thotë këtë pa pasur frikë se do të gjykohet.
“Kur bëhet fjalë për miqtë, duhet të ndiheni mjaftueshëm të lirshëm për të thënë: Kaq mund të përballoj financiarisht”, këshillon Peta-Kay.
Sepse sgurisht, një miqësi e vërtetë nuk duhet të matet me sa para shpenzoni së bashku, por me mirëkuptimin dhe respektin që tregoni ndaj njëri-tjetrit./mxh
