Last Updated on 11/11/2026 by Monika
Ministri i Mbrojtjes ka reaguar lidhur me artikullin e publikuar nga media ndërkombëtare POLITICO, duke sqaruar deklaratën e tij për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë.
Përmes një deklarate, ministri thekson se fjalët e tij janë interpretuar jashtë kontekstit, duke krijuar një perceptim të gabuar mbi qëndrimin e Shqipërisë për zhvillimin e samitit.
Ai nënvizon se Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Tiranë, në përputhje me vendimin e marrë nga Aleanca, ndërsa Shqipëria ka nisur tashmë përgatitjet për organizimin dhe mikpritjen e këtij eventi të rëndësishëm ndërkombëtar.
Ministri sqaron se referenca për një takim virtual kishte të bënte vetëm me procesin e vendimmarrjes së liderëve të vendeve aleate për përcaktimin e datës së samitit dhe jo me zhvillimin online të vetë aktivitetit.
Sipas tij, data e samitit është kompetencë e liderëve të vendeve anëtare të NATO-s dhe do të bëhet publike pasi të përcaktohet dhe të komunikohet zyrtarisht nga Aleanca.
Në përfundim, ministri është shprehur i prerë se Shqipëria nuk ka propozuar as shtyrjen dhe as zhvillimin virtual të Samitit të NATO-s, duke përsëritur se vendi po vijon përgatitjet për ta mirëpritur atë në Tiranë, sipas vendimit të aleatëve.
Reagimi vjen pas publikimit të artikullit në POLITICO, i cili solli në vëmendje deklaratat e ministrit lidhur me organizimin dhe datën e samitit./mxh
