Nëse i keni kaluar të 30-at, ka shumë mundësi që ta keni dëgjuar të paktën një herë pyetjen: “Po ti, kur do të martohesh?”. Zakonisht vjen nga të afërmit gjatë një dreke familjare, por nuk mungojnë as fqinjët, kolegët apo të njohurit që duket se e kanë kthyer statusin tuaj sentimental në një çështje me interes publik.
Për disa, martesa është një hap i natyrshëm në një marrëdhënie dhe një nga qëllimet kryesore të jetës. Për të tjerë, është diçka që nuk e kanë dëshiruar kurrë, nuk e kanë si përparësi ose thjesht nuk e shohin të nevojshme. Por, a duhet të jetë martesa patjetër destinacioni përfundimtar pas të 30-ave?
Dhjetë persona të intervistuar nga YourTango kanë treguar pse nuk janë martuar dhe përgjigjet e tyre dëshmojnë se arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet.

1. “Jam i lumtur edhe vetëm”
“Po kaloj shumë mirë pa qenë në një lidhje. Nuk kam pasur një partnere që prej vitit 2014, kur përfundoi një marrëdhënie e vështirë. Nuk po kërkoj dikë dhe as nuk ndiej nevojën të krijoj një jetë në çift. Nëse takoj një person që më respekton, më sheh si të barabartë dhe nuk përpiqet të më ndryshojë, ndoshta do ta konsideroja martesën.”
2. “Nuk jam gati për një angazhim të tillë”
“Nuk është thjesht se nuk besoj te institucioni i martesës. E di që nuk jam personi i duhur për një angazhim të tillë. Nuk më tërheq ideja për të bërë seks me të njëjtin person gjatë gjithë jetës. Nuk më duket aspak emocionuese.”
3. “Gjithsesi, të gjithë përfundojnë duke u divorcuar”
“Mendoj se martesa nuk është për mua. Shoh shoqet e mia që përpiqen të gjejnë dikë me të cilin të martohen, por unë nuk e kam këtë nevojë dhe nuk besoj se do ta kem ndonjëherë. Nuk ndihem sikur po humbas diçka. Në fund të fundit, duket sikur të gjithë ata që martohen përfundojnë duke u divorcuar. Dhe ne jemi vetëm 35 vjeç.”
4. “E anuloi dasmën pak para se të martoheshim”
“Pse nuk jam martuar në moshën 39-vjeçare? Sepse partneri im anuloi dasmën tonë pasi zbuloi se ishte i dashuruar me dikë tjetër. Kjo është arsyeja.”
5. “Preferoj aventurat kalimtare”
“Nuk jam aspak e zonja në takime. Kam provuar gjithçka, nga aplikacionet online deri te njohjet tradicionale, por duket se nuk është pika ime e fortë. Jam shumë më e mirë në të dalë, të argëtohem dhe të përjetoj diçka spontane me dikë. Por aventurat kalimtare zakonisht nuk të çojnë drejt martesës.”

6. “Martesa nuk ka qenë kurrë përparësia ime”
“Gjetja e një partneri për t’u martuar nuk ka qenë asnjëherë qëllimi im kryesor. Kam pasur disa takime shumë të bukura, por asnjëherë nuk kam përfunduar në një marrëdhënie vërtet serioze. Kam qenë e përqendruar te puna, udhëtimet ose kam përjetuar tradhti. Nuk kam takuar ende dikë që do ta bënte marrëdhënien tonë përparësi. Për më tepër, ideja e martesës si institucion nuk më tërheq. Megjithatë, nuk e përjashtoj për të ardhmen. Do të doja më shumë se gjithçka të gjeja një partner të vërtetë.”
7. “E kam provuar dhe nuk dua ta përsëris”
“U fejova në moshën 25-vjeçare, kryesisht nga frika dhe presioni për t’u martuar. Kur fejesa mori fund, u ndjeva e shkatërruar. Mendova se kisha humbur të vetmen mundësi për t’u martuar. E gjithë ajo përvojë ishte aq e pakëndshme, saqë nuk e kërkoj më martesën.”
8. “Është thjesht një copë letër”
“Pse duhet të martohem? Nëse jam e lumtur në marrëdhënien time, nëse ka respekt dhe kam një partner që më kupton, ashtu siç e kuptoj edhe unë, pse duhet të shqetësohem për një certifikatë martese?”
9. “Pse të martohem kur e kam tashmë jetën që dua?”
“Po kaloj shumë mirë me partnerin tim. Kemi të njëjtin sigurim shëndetësor, qenin dhe shtëpinë tonë. Nuk shoh ndonjë arsye për të shpenzuar para për një festë të madhe. Do të preferoja t’i përdorja ato para për një udhëtim të gjatë.”
10. “Kam gjëra më interesante për të bërë”
“Dal, udhëtoj, takoj njerëz dhe shijoj jetën. Çfarë tjetër do të më ofronte martesa?”
Në fund të fundit, këto përgjigje tregojnë se jo të gjithë e përfytyrojnë lumturinë në të njëjtën mënyrë. Për disa, ajo vjen përmes martesës dhe krijimit të një familjeje, ndërsa për të tjerë përmes pavarësisë, përvojave personale apo një marrëdhënieje që nuk ka nevojë për një certifikatë për t’u konsideruar serioze./k.m
