Last Updated on 12/11/2026 by EL
Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar me 30 vota pro dhe 9 kundër ndryshimet në vlerën e shpronësimit të pronave private që preken nga projekti për ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës që lidh zonën e Currilave me rrugën “Aleksandër Goga”.
Vendimi parashikon rritjen e fondit të përgjithshëm të shpronësimit nga rreth 249.7 milionë lekë në 268.7 milionë lekë, si dhe përditësimin e listës së pronave dhe planimetrisë së pasurive që preken nga projekti, raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi.
Kundër këtij vendimi votuan këshilltarët e opozitës, të cilët kundërshtuan llogaritjen e vlerës së pronave, që është larg vlerës së tregut. Sipas tyre, zona e prekur është trajtuar si tokë ullishte dhe arë dhe vlerësimi është bërë duke iu referuar hartës së vlerës së tokës, të miratuar me VKM-në nr. 89 të vitit 2016.
Opozita kundërshtoi faktin që për përcaktimin e çmimit të shpronësimit, është marrë si referencë zona më e afërt, ajo e fshatit Vrinë, ku çmimi i referencës për tokën arë është mjaft i ulët dhe larg vlerës së tregut për lagjen ku kalon rruga.
Sipas këshilltarëve demokratë, mjekes Edlira Harizi dhe urbanistit Ardian Muka, ky vlerësim nuk pasqyron realisht karakterin dhe vlerën e pronave në një zonë urbane të Durrësit, brenda vijës së verdhë, duke sjellë një kompensim të ulët për banorët që preken nga projekti, të cilëve u lihet si zgjidhje vetëm rruga gjyqësore.
Nga ana tjetër, këshilltarët e shumicës mbështetën projektvendimin, duke argumentuar se vlerësimi i pronave është kryer në përputhje me bazën ligjore në fuqi dhe se administrata ka zbatuar metodologjinë e parashikuar nga aktet ligjore dhe nënligjore për shpronësimet.
Me miratimin e këtij vendimi, fondi i shpronësimit pëson një rritje prej afro 19 milionë lekësh nga vendimi i mëparshëm i tetorit, ndërsa lista e pronave të prekura dhe planimetria përkatëse zëvendësohen me dokumentacionin e përditësuar. Shpronësimi në Durrës do bëhet me vlerën e tokës në fshat./ET
