Last Updated on 12/11/2026 by Monika
Presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi sot se do të dyfishojë tarifat tregtare ndaj Meksikës, nëse ky vend nuk ndalon më shumë se 1 000 emigrantë, që po marshojnë drejt veriut, në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas zgjedhjeve të mesmandatit, javën e kaluar, sipas “Reuters”.
Ai paralajmëroi se emigrantët nuk do të lejohen të hyjnë në territorin amerikan.
“Ja ku jemi përsëri!”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
“Ata nuk do të pranohen! Meksika duhet t’i ndalojë tani dhe, nëse nuk e bën këtë, tarifat ndaj Meksikës do të dyfishohen menjëherë. Meksika, guvernatori i Teksasit, guvernatorja e re liberale e Teksasit, Patrulla jonë Kufitare dhe ICE janë informuar. Nuk do të ketë asnjë tolerim!”, shkroi presidenti amerikan.
Karvani përbëhet nga rreth 1 500 emigrantë, kryesisht nga Amerika Qendrore, të cilët u nisën të martën nga qyteti Tapachula, në jug të Meksikës, pranë kufirit me Guatemalën.
Emigrantët shpresojnë se fitorja e demokratëve, në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, mund të krijojë mundësi të reja për të jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deri në publikimin e lajmit, zyrtarët e qeverisë meksikane nuk bënë asnjë reagim ndaj kërcënimit të Trump.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, pritej të mbante një konferencë për shtyp sot në mëngjes.
Kërcënimi i Trump vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Meksika po negociojnë një marrëveshje tregtare, pasi presidenti amerikan vendosi në korrik, të mos e zgjaste marrëveshjen tregtare mes SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë.
Politikat e ashpra të administratës Trump për emigracionin, kanë frenuar kryesisht fluksin e emigrantëve drejt kufirit jugor të SHBA-së, duke bërë që shumë qendra pritjeje për emigrantët në Meksikë të mbeten bosh.
Trump u rizgjodh president në vitin 2024, pjesërisht falë shqetësimeve të votuesve amerikanë për sigurinë kufitare.
Që atëherë, ai ka vënë në dukje disa karvane emigrantësh, por muajt e fundit ka deklaruar se kjo çështje ka humbur një pjesë të rëndësisë së saj politike për të dhe Partinë Republikane.
Pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, Trump deklaroi se ishte i bindur që guvernatorja e re e Teksasit, demokratja Gina Hinojosa, do të kërkonte garantimin e sigurisë në kufirin e shtetit.
Kërcënimi i fundit vjen gjithashtu në një kohë kur Trump ka pranuar se programi i dëbimeve të administratës së tij, i zbatuar nga Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave (ICE), ka shkaktuar reagime negative politike.
Në një intervistë të dielën për emisionin “60 Minutes” të televizionit CBS, Trump pranoi se forcat e angazhuara për dëbimet kishin qenë “tepër të ashpra”.
Ai tha gjithashtu se ishte i hapur për një marrëveshje për emigracionin me demokratët, pasi ata të marrin kontrollin e Kongresit amerikan në janar./mxh
