Last Updated on 12/11/2026 by EL
Të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Urim Fikut vijojnë të jenë djali dhe gruaja e tij, ndërsa disa detaje të zbuluara së fundmi shtojnë dyshimet për krimin në familje që shokoi Bulqizën më 3 nëntor, kur dhe u raportua për vdekjen e 61 vjeçarit.
Policia e Dibrës mësohet se ka përgjuar në ambientet e dhomës së shoqërimit, dy të arrestuarit Sadete dhe Gazmir Fiku.
Sipas gazetarit Elton Qyno, gjatë bisedës që kanë zhvilluar në ambientet e policisë, nëna i ka kërkuar të birit sqarime duke i pohuar se: “…çfarë ndodhi kështu, si përfunduam kështu…”. Ndërsa djali ia ka kthyer: ”…mos fol tani, sqarohemi kur të dalim…”.
Më tej, raportohet se i biri i bën me shenjë të ëmës, duke nënkuptuar se në dhomë mund ti kenë vënë përgjues, ndërsa përpiqen që të devijojnë diskutimet mes tyre me tema që nuk lidhen me vdekjen e kryefamiljarit.
Nënë e bir të vënë në pranga për vdekjen e kryemfamiljarit të tyre raportohet se ditët e fundit kanë qëndruar shumë të rezervuar, duke ngritur kështu dyshime se ata fshehin të vërtetën.
Ndërkaq, bëhet me dije se policia dhe prokuroria e Dibrës, janë në pritje të përgjigjeve të akteve të ekspertimit mjeko-ligjor dhe përgjigjeve balistike të dy armëve të zjarrit pistoletë, kallashnikov, që u gjenden në zonën e shtëpisë Fiku. Arma automatike u gjend në kasollen e banesës, e në folenë e fishekut kishte një plumb.
Blutë kanë rikontrolluar shtëpinë, pasi policia një ditë më parë kishte gjetur 3 gëzhoja automatiku, duke çuar në dyshimin se në vendin e krimit veç pistoletës ishte përdorur dhe një armë automatike. Gëzhojat tashmë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe pritet që në ditët në vijim t’i nënshtrohen një ekspertize krahasuese balistike me armën tip pistoletë dhe kallashnikovin e sekuestruar.
Gjetja e këtyre gëzhojave në distanca të ndryshme nga njëra-tjetra ka ngritur dyshime të forta se Urim Fiku është ndjekur me vrap nga autori i krimit, i cili ka qëlluar me intensitet drejt Fikut, derisa ai është prekur nga një plumb pas shpine dhe është rrëzuar në tokë.
Më pas, dyshohet se autori i krimit ka qëlluar Fikun me një sëpatë në kokë, duke i dëmtuar rëndë pjesën e kafkës. Në këto rrethana, Policia dhe prokuroria kanë kërkuar informacion nga mjekësia ligjore për të përcaktuar nëse vdekja e Urim Fikut ka ardhur nga dëmtimi i rëndë i trurit përmes goditjes me sëpatë apo si pasojë e goditjes me një plumb të shkaktuar nga arma e zjarrit.
Hetuesit kanë ngritur dyshime të forta se në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe një person i tretë, që dyshohet se banon aty pranë, për të cilin po punohet me qëllim identifikimin dhe arrestimin e tij. E deri më tani për ngjarjen e rëndë janë prapa hekurave djali dhe gruaja e viktimës, Gazmir dhe Sadete Fiku./et
