Last Updated on 12/11/2026 by Monika
Përballja e sotme e Kombëtares shqiptare kundër Finlandës ka një shije të veçantë për dy prej figurave kryesore të skuadrës kuqezi.
Sulmuesi Rei Manaj, i cili e nis takimin sërish nga minuta e parë si titullar, regjistron sot paraqitjen e tij të 50-të zyrtare me fanellën e Shqipërisë. Ky jubile i rëndësishëm vjen në një moment kur sulmuesi bën pjesë mes golashënuesve më të mirë në historinë e përfaqësueses dhe po ndjek nga afër rekordin e Erjon Bogdanit.
Një tjetër arritje historike shënohet edhe për kapitenin Berat Gjimshiti, i cili zbret në fushë për herë të 78-të me Kombëtaren.
Me këtë aktivizim të radhës, mbrojtësi lë pas Klodian Duron, me të cilin deri më sot ndante vendin e pestë në listën e futbollistëve me më shumë ndeshje në histori. Kapiteni aktual i kuqezinjve shkëputet kështu i vetëm në pozicionin e pestë të renditjes së të gjitha kohërave.
Tashmë, Gjimshiti ndodhet vetëm një takim larg barazimit të vendit të katërt, të cilin e mban një tjetër ish-kapiten legjendar si Altin Lala./mxh
