Pesë ndeshjet e Ligës së Kombeve, prodhuan plot 14 gola të shënuar. Vëmendjen kryesore e mori supersfida e Ligës A mes Italisë dhe Francës, e cila përfundoi me triumfin 3-1 të të kaltërve.
Pavarësisht se “Gjelat” kaluan të parët në avantazh me Olise në minutën e 10-të, italianët reaguan fuqishëm duke përmbysur gjithçka falë dopietës së Esposito-s dhe një goli nga Frattesi.
Në dy duelet e tjera të Ligës A, skuadrat favorite bënë detyrën. Spanja regjistroi një fitore të pastër 0-2 në transfertë përballë Çekisë, me gola të realizuar nga Baena me penallti dhe Pubill në minutat shtesë.
Ndërkohë, në shtëpi, Anglia mposhti Kroacinë me rezultatin 2-1, falë rrjetave të Roxhers dhe Herri Kejn, ndërsa për ballkanasit shënoi Suçiç.
Në Ligën C, u zhvilluan dy përballje të tjera. Mali i Zi tregoi karakter duke mposhtur 2-1 Letoninë në minutat e fundit shtesë, pavarësisht se luajti në inferioritet numerik.
Nga ana tjetër, Bjellorusia, e cila është kundërshtari i radhës i Kombëtares shqiptare, fitoi pastër 0-2 në transfertën ndaj San Marinos, duke zgjidhur ndeshjen që në 17 minutat e para të takimit./k.m
