Vezët janë një nga burimet më të përballueshme të proteinave cilësore, por shumë persona që stërviten zgjedhin të konsumojnë vetëm të bardhat, duke shmangur të verdhat nga frika e kolesterolit.
Megjithatë, kjo do të thotë se humbasin një pjesë të proteinave dhe shumë lëndë ushqyese të rëndësishme.
Një vezë e madhe përmban rreth 6.3 gramë proteina, prej të cilave 2.7 gramë gjenden në të verdhën.
Kjo pjesë përmban gjithashtu shumicën e vitaminave D, B12 dhe A, si dhe hekur, kolinë e luteinë.
Prandaj, konsumimi vetëm i të bardhës nuk e shfrytëzon plotësisht vlerën ushqyese të vezës.
Një studim i vogël nga Universiteti i Illinoisit krahasoi reagimin e muskujve pas konsumimit të vezëve të plota dhe vetëm të bardhave.
Dhjetë të rinj kryen ushtrime force dhe më pas morën vakte që përmbanin nga 18 gramë proteina.
Rezultatet, të publikuara në revistën American Journal of Clinical Nutrition, treguan se reagimi i muskujve ishte rreth 40 për qind më i lartë te pjesëmarrësit që konsumuan vezë të plota.
Megjithatë, studimi përfshinte pak pjesëmarrës dhe vetëm burra të rinj, ndaj rezultatet duhen interpretuar me kujdes.
Për personat e shëndetshëm, një deri në dy vezë në ditë mund të përfshihen në një dietë të ekuilibruar.
Pas stërvitjes, dy deri në tri vezë të plota mund të jenë pjesë e një vakti të mirë, të shoqëruara me karbohidrate dhe perime. Sasia e përshtatshme varet edhe nga pjesa tjetër e ushqimit gjatë ditës.
Personat me kolesterol të lartë ose diabet duhet të këshillohen me mjekun për sasinë e përshtatshme.
Po ashtu, rëndësi ka mënyra e përgatitjes: vezët me perime dhe bukë integrale janë zgjedhje më e mirë sesa kombinimi i tyre me sallçiçe, proshutë dhe djathëra me shumë yndyrë.
Vezët mund të ndihmojnë në plotësimin e nevojave për proteina, por duhet të jenë pjesë e një ushqyerjeje të larmishme. /et
