Rikthimi i Madonna-s në festivalin Coachella në vitin 2027 ka shkaktuar debate mes fansave, pasi “Mbretëresha e Popit” nuk do të jetë në mesin e artistëve kryesorë të festivalit, por do të performojë në skenën e vallëzimit. Vendimi ka nxitur reagime në rrjetet sociale, ku disa admirues e konsiderojnë këtë një nënvlerësim të karrierës dhe ndikimit të saj në muzikën botërore.
Në krye të programit të Coachella 2027 janë Dua Lipa, SZA dhe Tame Impala, ndërsa Madonna do të ngjitet në skenën e vallëzimit, një zgjedhje që duket se ka edhe domethënie simbolike.
Në vitin 2006, gjatë promovimit të albumit “Confessions on a Dance Floor”, Madonna kishte surprizuar publikun me një performancë 40-minutëshe në tendën Sahara Dance Tent. Ajo konsiderohet si një nga artistet që ndihmuan në zgjerimin e profilit muzikor të festivalit drejt muzikës pop dhe dance.
Rikthimi i saj, 21 vjet më vonë, lidhet edhe me albumin “Confessions II”, të publikuar në korrik të vitit 2026, përmes të cilit artistja riktheu vëmendjen te muzika elektronike dhe dance.
Coachella 2027 do të mbahet në Empire Polo Club në Indio të Kalifornisë, gjatë dy fundjavave, më 9–11 prill dhe 16–18 prill. Në mesin e artistëve të tjerë të konfirmuar janë Phoebe Bridgers, Weezer, Robyn, Zara Larsson, Steve Lacy, Kelala, Kehlani, Tiësto, Kygo, Måneskin, Underworld dhe Giorgio Moroder./mxh
