Një mbrëmje që pritej të ishte e mbushur me shkëlqim dhe elegancë mori një kthesë të papritur për Emma Watson. Aktorja britanike u bë pjesë e një incidenti të pakëndshëm gjatë eventit të njohur “GQ Men of the Year”, të mbajtur në hotelin luksoz Chateau Marmont, në Los Angeles.
Sipas raportimit të “Daily Mail”, 36-vjeçarja humbi ekuilibrin dhe u rrëzua në tokë, duke shkaktuar shqetësim te personat që ndodheshin pranë saj. Ajo arriti të vendoste duart përpara për të lehtësuar përplasjen, ndërsa një prej të pranishmëve reagoi menjëherë për ta ndihmuar.
Fotot dhe pamjet nga mbrëmja e tregojnë aktoren të surprizuar nga ajo që ndodhi. Megjithatë, para incidentit, Watson kishte spikatur me stilin e saj, duke zgjedhur një fustan të zi me motive dhe këpucë me taka në kombinim bardh e zi.
Jashtë vëmendjes së eventit, emri i saj është komentuar së fundmi edhe për zhvillimet në jetën sentimentale. Aktorja është fotografuar në Oksford në shoqërinë e një mashkulli, me të cilin, sipas dëshmitarëve, kishte shkëmbyer momente romantike pranë lumit Thames.
Pavarësisht se vitet e fundit është treguar më e tërhequr nga jeta publike, Emma Watson vazhdon të mbetet një prej aktoreve më të dashura për publikun. Roli i Hermione Granger në serinë e filmave “Harry Potter” i dha famë ndërkombëtare dhe e shoqëroi për një dekadë të tërë.
Mbrëmja e organizuar nga “GQ” mblodhi gjithashtu shumë emra të njohur të industrisë së argëtimit. Në mesin e të ftuarve ishin Andrew Garfield, Matt Damon, Cara Delevingne, Sofia Vergara, Travis Scott dhe Jason Bateman.
Vëmendje morën edhe disa prej daljeve të yjeve pas përfundimit të eventit. Sofia Vergara u fotografua në shoqërinë e Douglas Chabbott, ndërsa këngëtarja Tinashe u rrethua nga fansat që kërkonin të fotografoheshin me të. Në listën e të pranishmëve ishin gjithashtu Monica Barbaro, Halle Bailey dhe Patrick Schwarzenegger./mxh
