Hollimi i flokëve është një ndryshim që mund të shfaqet gradualisht me kalimin e viteve. Megjithatë, ka disa mënyra për të ruajtur shëndetin e tyre dhe për t’i bërë të duken më të dendur.
Ashtu si lëkura, edhe flokët ndryshojnë me kalimin e moshës. Folikulat e flokëve mund të bëhen gradualisht më të vogla, duke prodhuar fije më të holla dhe më të shkurtra. Ky proces njihet si miniaturizimi i folikulave.
Sipas trikologes Sharley Viola, ndryshimet hormonale, veçanërisht ato që lidhen me menopauzën, mund të ndikojnë gjithashtu në ciklin e rritjes së flokëve. Ato mund të shkurtojnë periudhën gjatë së cilës flokët rriten, duke bërë që dendësia dhe volumi i tyre të pakësohen.
Një rol mund të luajnë edhe funksioni i tiroides, mungesa e disa lëndëve ushqyese dhe ndryshimet në qarkullimin e gjakut. Sipas biokimistit dhe specialistit të skalpit Jared Reynolds, çrregullimet e tiroides dhe disa medikamente mund të ndikojnë në rritjen dhe shëndetin e flokëve. Ndërkohë, qarkullimi më i dobët i gjakut në skalp mund të kufizojë furnizimin e folikulave me oksigjen dhe lëndë ushqyese.
A mund të parandalohet hollimi i flokëve?
Jo gjithmonë. Kur shkaktohet nga ndryshimet hormonale dhe ato që pëson vetë folikuli me kalimin e moshës, hollimi nuk mund të parandalohet plotësisht. Megjithatë, disa zakone mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të flokëve.
Ekspertët këshillojnë të shmangen modelet e flokëve që ushtrojnë shumë tension mbi rrënjët, si bishtat e lidhur fort, gërshetat e shtrënguara dhe zgjatimet. Tërheqja e vazhdueshme mund të dëmtojë folikulat dhe të shkaktojë rënie të flokëve.
Po aq e rëndësishme është kujdesi për skalpin, ushqyerja e ekuilibruar, hidratimi i mjaftueshëm dhe përdorimi i produkteve të buta për flokët.
Çfarë mund të bësh për t’i ndihmuar flokët?
Hapi i parë është të konsultohesh me një mjek për të kuptuar shkakun e hollimit. Ekspertët rekomandojnë kontrollin e funksionit të tiroides, nivelit të hekurit dhe ferritinës, si dhe të vitaminës D. Kjo ndihmon për të identifikuar nëse rënia lidhet me ndonjë mungesë ushqyese, çrregullim hormonal, stres, sëmundje apo përdorim medikamentesh.
Në varësi të shkakut, mund të rekomandohen trajtime të ndryshme. Minoxidili, një përbërës që përdoret në produkte për rritjen e flokëve, mund të ndihmojë në përmirësimin e dendësisë dhe stimulimin e rritjes. Megjithatë, nëse problemi lidhet me një mungesë ushqyese ose çrregullim hormonal, vetëm përdorimi i produkteve lokale mund të mos jetë i mjaftueshëm.
Nëse synon që flokët të duken më të dendur, edhe mënyra si i stilizon ka rëndësi. Shmang produktet shumë të rënda, pasi mund t’i bëjnë fijet të duken të sheshta dhe të theksojnë më shumë skalpin. Në vend të tyre, mund të përdorësh shkumë për volum ose spërkatës që ngre rrënjët e flokëve. Edhe produktet që u japin teksturë dhe kremrat me formulë të lehtë mund të ndihmojnë, veçanërisht nëse ke flokë të hollë ose prerje me shtresa.
Po trajtimet te dermatologu?
Nëse produktet për përdorim në shtëpi nuk japin rezultatet e dëshiruara, mund të konsultohesh me një dermatolog për trajtime të tjera. Ndër alternativat janë terapia me plazmë të pasur me trombocite (PRP), që përfshin injektimin e saj në skalp, dhe terapia me lazer me intensitet të ulët, e cila synon të nxisë rritjen e flokëve.
Pavarësisht trajtimit që zgjidhet, durimi dhe vazhdimësia janë të rëndësishme. Flokët rriten në cikle dhe mund të duhen të paktën tre muaj, ndonjëherë edhe më shumë, për të vënë re ndryshime domethënëse.
Hollimi i flokëve nuk ka një zgjidhje të vetme për të gjithë. Çelësi është të kuptosh fillimisht shkakun dhe më pas të zgjedhësh kujdesin ose trajtimin që i përshtatet nevojave të tyre./k.m
