Një zbulim i jashtëzakonshëm në Dolomitet e Italisë ka nxjerrë në dritë një thesar të rrallë paleontologjik. Bëhet fjalë për një shpellë të panjohur më parë, e cila fsheh qindra eshtra, kafka dhe skelete pothuajse të plota të arinjve gjigantë që kanë jetuar gjatë Epokës së Akullnajave.
Zbulimi u bë nga udhërrëfyesi malor Kurt Walde, më 3 korrik 2026, në zonën e Col Toron, pranë majës së Conturines, në një lartësi prej rreth 2 850 metrash mbi nivelin e detit. Ai njoftoi autoritetet për gjetjen më 17 korrik.
Shpella ndodhet brenda Parkut Natyror Fanes-Senes-Braies, në veri të Italisë, dhe ka një gjatësi prej rreth 170 metrash. Ajo është e lartë nga 6 deri në 8 metra dhe ka një gjerësi që varion nga 8 deri në 10 metra.
Pas një ngjitjeje dhe zbritjeje tepër të vështirë në një terren pothuajse vertikal, Walde arriti të hynte në shpellë. Ai kishte vënë re një njollë të errët në faqen shkëmbore të malit rreth tre vjet e gjysmë më parë, por vetëm në korrik të këtij viti vendosi të eksploronte nga afër zonën.
Aty, drita e elektrikës së tij zbuloi një pamje të pazakontë: qindra mbetje skeletore, kafka dhe kocka që dyshohet se u përkasin arinjve të zhdukur të shpellave, të njohur si Ursus ladinicus. Një prej veçorive më të rëndësishme të zbulimit është prania e disa skeleteve pothuajse të plota, të cilat mund të ofrojnë të dhëna të rralla për këta gjitarë parahistorikë.
Kjo specie mendohet të jetë zhdukur rreth 24 mijë vjet më parë, ndërsa disa prej mbetjeve të zbuluara në zonën e Conturines vlerësohen të jenë rreth 50 mijë vjet të vjetra. Megjithatë, përkatësia e saktë e të gjitha skeleteve të reja do të përcaktohet përmes analizave shkencore.
Arinjtë e kësaj familjeje ishin gjigantë. Ekzemplarët e zbuluar më parë në shpellën Conturines mund të arrinin peshën deri në 1 200 kilogramë dhe gjatësinë rreth tre metra. Studimet e dhëmbëve kanë treguar se ata ushqeheshin kryesisht me bimësi alpine, barishte dhe gjethe.
Deri më tani, shpella Conturines ishte i vetmi vend ku ishin konfirmuar mbetje të species Ursus ladinicus. Ajo u zbulua në vitin 1987 nga eksploruesi Willy Costamoling, ndërsa gërmimet shkencore nisën një vit më vonë. Zbulimi i ri, pranë të njëjtës zonë, mund të ndryshojë ndjeshëm njohuritë shkencore për këta gjitarë gjigantë dhe mjedisin ku kanë jetuar.
Christian Terzer, drejtues i Departamentit të Arkeologjisë në Tirolin e Jugut, i cili ka vizituar shpellën, është shprehur i habitur nga numri i madh i mbetjeve. Sipas tij, aty gjenden qindra e qindra kocka dhe numri i ekzemplarëve mund të jetë shumë më i madh se ai i zbuluar në shpellën Conturines.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve është pozicionimi i disa kockave të veçuara mbi formacione të mëdha shkëmbore. Shkencëtarët nuk e dinë ende nëse kjo është rezultat i proceseve natyrore apo nëse në shpellë kanë hyrë njerëz mijëra vite më parë.
Për shkak të rëndësisë së zbulimit dhe vështirësisë së aksesit, autoritetet kanë marrë masa për mbrojtjen e vendit. Në hyrje të shpellës është vendosur një portë mbrojtëse, ndërsa pjesë të tjera janë izoluar për të shmangur hyrjen e personave të paautorizuar dhe dëmtimin apo ndotjen e mbetjeve. Specialistët kanë kryer gjithashtu matjet e para tredimensionale të hapësirës.
Studimet shkencore pritet të rifillojnë në qershor të vitit 2027, kur ekipet e specialistëve dhe studiuesve ndërkombëtarë do të nisin analizimin e detajuar të gjetjeve.
Paleontologët shpresojnë të zbulojnë skelete edhe më të plota, të cilat mund të ndihmojnë në rindërtimin e pamjes së këtyre kafshëve, marrëdhënieve familjare dhe sjelljes së tyre. Gjithashtu, analizat e ADN-së, dhëmbëve dhe formacioneve gjeologjike mund të japin të dhëna të reja për ekosistemin e Alpeve dhjetëra mijëra vite më parë.
Studiuesit duan gjithashtu të kuptojnë se si arinjtë arrinin të hynin në këtë shpellë, duke pasur parasysh se hyrja e saj aktuale ndodhet në një terren jashtëzakonisht të vështirë. Nuk përjashtohet as mundësia që në të kaluarën të ketë ekzistuar një lidhje natyrore mes shpellës së re dhe asaj të Conturines.
Një tjetër mundësi që do të shqyrtohet është nëse shpella është vizituar nga njerëzit në periudhën parahistorike. Nëse kjo vërtetohet, zbulimi mund të ofrojë informacione të reja jo vetëm për botën shtazore, por edhe për praninë dhe aktivitetin njerëzor në Alpe gjatë asaj periudhe.
Shkencëtarët nuk përjashtojnë mundësinë që në shpellë të gjenden edhe mbetje të kafshëve të tjera të Epokës së Akullnajave. Për studiuesit, ky zbulim përfaqëson një mundësi të rrallë për të hedhur dritë mbi një ekosistem parahistorik, mbetjet e të cilit kanë qëndruar të fshehura për dhjetëra mijëra vjet, raporton BBC./mxh
