Familjet dhe bizneset e vogla do të mund të marrin pjesë në skema kolektive për ndryshimin e furnizuesit të energjisë elektrike. Ky është një nga parashikimet e projekt-rregullores së Entit Rregullator të Energjisë, që përcakton procedurat, afatet dhe kushtet për kalimin nga një kompani furnizimi te një tjetër.
Skema krijon mundësinë që konsumatorët ta ndërmarrin këtë proces në grup. Sipas draftit, të drejtën për të marrë pjesë e kanë klientët familjarë, si dhe ndërmarrjet mikro dhe të vogla. Operatorët e sistemit dhe furnizuesit do të duhet të mundësojnë funksionimin e këtyre skemave përmes platformës elektronike, duke garantuar mbrojtjen e klientëve dhe shmangien e pengesave administrative të pajustifikuara.
Paralelisht, projekt-rregullorja parashikon digjitalizimin e procedurës së ndryshimit të furnizuesit. Kërkesa do të administrohet në platformën elektronike të operatorit të shpërndarjes ose të transmetimit, në varësi të rrjetit ku është i lidhur konsumatori.
Aplikimi mund të bëhet nga vetë klienti ose nga furnizuesi i ri, me autorizimin e tij. Mbetet edhe mundësia e paraqitjes së kërkesës me shkrim pranë operatorit, i cili më pas e regjistron në platformë.
I gjithë procesi duhet të përfundojë brenda një afati maksimal prej tri javësh nga kërkesa. Ndërsa realizimi teknik i ndryshimit nuk duhet të zgjasë më shumë se 24 orë, pasi të jenë plotësuar kushtet dhe të jetë përcaktuar data kur kontrata e re fillon të zbatohet. Deri në përfundimin e procedurës, furnizuesi aktual vazhdon furnizimin e klientit.
Për familjet dhe ndërmarrjet mikro e të vogla, drafti përcakton se nuk do të aplikohen tarifa të lidhura me ndryshimin e furnizuesit./mxh
