Koreja e Veriut po përballet me raportime gjithnjë e më shqetësuese për përhapjen e metamfetaminës, ndërsa incidentet e dhunshme të lidhura me përdorimin e drogës duket se po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Rasti më i fundit është regjistruar në qytetin e Hamhungut, ku një çift në të 40-at është përleshur me thika në mes të një rruge të frekuentuar, duke shkaktuar panik te banorët.
Sipas medias koreano-jugore *Daily NK*, burri dhe gruaja dyshohet se kishin konsumuar metamfetaminë kristalore, e njohur në vend si “akulli”. Konflikti mes tyre nisi për shkak të problemeve financiare, por shumë shpejt debati verbal u shndërrua në një përleshje fizike, ku të dy përdorën thika.
Një fqinj, i alarmuar nga situata, tentoi të ndërhynte për t’i ndarë, por nuk arriti të qetësonte çiftin. Përleshja u ndal vetëm pasi një oficer policie, që po kalonte rastësisht në zonë, ndërhyri dhe u bërtiti të dyve derisa ata pushuan së luftuari.
Një burim anonim i tha Daily NK* se në vendngjarje kishte gjurmë të dukshme të metamfetaminës, duke lënë të kuptohej se konflikti ishte nxitur edhe nga përdorimi i drogës.
“Nëse do të ishte një grindje normale martesore, dikush do t’i kishte ndarë dhe do të ishte larguar. Por kishte gjurmë akulli kudo dhe e tëra çfarë bëri oficeri i policisë ishte të bërtiste derisa ata ndaluan së luftuari”, rrëfeu burimi.Sipas tij, incidente të tilla nuk janë më të pazakonta në Hamhung. Çiftet që konsumojnë së bashku metamfetaminë dhe më pas përfshihen në konflikte të dhunshme janë kthyer në një fenomen të përsëritur, ndërsa autoritetet shpesh nuk ndërhyjnë, përveç rasteve kur përleshjet përfundojnë me viktima.
“Çiftet që bëjnë akull së bashku dhe më pas shkaktojnë sherre të tilla është diçka që ndodh shumë shpesh në Hamhung. Përveç nëse dikush përfundon i vdekur, askush nuk merret fare me këtë çështje”, deklaroi burimi.
Metamfetamina, problem në disa shtresa të shoqërisë
Pavarësisht ligjeve të ashpra që ndalojnë përdorimin dhe shpërndarjen e narkotikëve, Koreja e Veriut është përballur prej vitesh me raportime për përhapjen e metamfetaminës kristalore.
Një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit, i publikuar në vitin 2016, evidentonte se përdorimi i kësaj substance ishte përhapur në shtresa të ndryshme të shoqërisë, duke përfshirë studentë, punëtorë fabrikash dhe qytetarë të pasur.
Qyteti i Hamhungut është identifikuar gjithashtu si një nga zonat ku problemi i trafikimit dhe përdorimit të metamfetaminës është veçanërisht shqetësues.
Sipas raportimeve, droga nuk përdoret vetëm për konsum personal, por në disa raste ofrohet edhe si dhuratë për zyrtarët shtetërorë, në një përpjekje për të siguruar favore apo marrëdhënie me ta.
Ndërkohë, Koreja e Veriut është lidhur prej dekadash edhe me trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Raporte të ndryshme kanë ngritur dyshime për përfshirjen e zyrtarëve të vendit në operacione kontrabande që datojnë që nga vitet 1970./ad
