Last Updated on 16/11/2026 by Leonard
Nga Lonard Veizi
Për dekada me radhë, ai ishte njeriu që diti t’i lexonte lëvizjet e popullit ashtu siç lexohet një dorëshkrim i lashtë. Ndërsa të tjerët shihnin thjesht një gëzim në shesh apo një shfaqje në skenë, ai shihte histori, identitet dhe rrënjë të gjalla…
…Ishte 92 vjeç dhe u nda nga jeta mëngjesin e 16 nëntorit 2026. Ishte një studiues i shquar i etnografisë dhe etnokoreologjisë, me jo më pak se 20 vepra të botuara. Ishte Profesor Doktor, por mbante edhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Dhe ky ishte Ramazan Bogdani.
U lind në Tiranë në vitin 1933. Formimin e tij artistik e nisi në Liceun Artistik “Jordan Misja”, e vijoi në Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” dhe e kurorëzoi me studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku u diplomua në degën e Etnografisë.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se karrierën e nisi si valltar solist dhe koreograf në Filarmoninë Shqiptare dhe në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke dhënë një ndihmesë të rëndësishme në zhvillimin e artit skenik shqiptar.
Por shkëlqimi i tij i vërtetë erdhi si punonjës shkencor në Institutin e Folklorit dhe më pas në Institutin e Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe iu kushtua me përkushtim kërkimit shkencor, mbledhjes, dokumentimit dhe studimit të traditave muzikore e koreografike shqiptare.
Ai dha një kontribut të çmuar e të pazëvendësueshëm në studimin, ruajtjen dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare, në fushën e valleve dhe të kërcimit popullor.
Bogdani nuk u ndal kurrë te spektakli i valles. Për të, vallja ishte gjuhë që flitej me trup, kujtesë që mbahej me ritëm, dhe mënyra më e drejtpërdrejtë se si një komunitet thotë: ja kush jemi.
Prandaj zbriti në terren, për të prekur gjithçka nga afër. Dhe pikërisht aty qëndron forca e tij. Ndaj dhe kur skena të heshtë, puna e tij do të vazhdojë të lëvizë. Sepse në studimet e Bogdanit, vallja shqiptare nuk është thjesht e ruajtur në libra e në raft. Ajo është e gjallë, e shpjeguar, e kuptuar.
