Pas disa vitesh larg produksioneve të mëdha të Hollywood-it, Johnny Depp po përgatitet për një rikthim të rëndësishëm me filmin Ebenezer, ku do të interpretojë personazhin e Ebenezer Scrooge në një version më të errët dhe gotik të veprës së famshme të Charles Dickens, A Christmas Carol.
Filmi ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për historinë dhe kastin e njohur, por edhe për marrëveshjen financiare të aktorit. Depp do të përfitojë rreth pesë milionë dollarë për rolin, një shumë dukshëm më e ulët krahasuar me honoraret marramendëse që merrte dikur në Hollywood.
Megjithatë, bëhet e ditur se aktori e ka pranuar këtë marrëveshje sepse beson te projekti dhe dëshiron të ketë një pjesë të konsiderueshme të pronësisë së filmit, duke përfituar kështu edhe nga fitimet e tij të ardhshme.
Kjo duket si një strategji ndryshe nga ajo e viteve kur Depp ishte ndër aktorët më të paguar në botë. Revista Forbes e renditi atë në krye të listës në vitet 2015 dhe 2016, pavarësisht se disa prej filmave të tij nuk arrinin të justifikonin kostot e larta të paguara për aktorin.
Në të kaluarën, Depp e kishte shpjeguar edhe arsyen pse pranonte honorare kaq të mëdha. Në një intervistë për Vanity Fair në vitin 2011, ai deklaroi se paratë nga roli i kapiten Jack Sparrow i merrte kryesisht për fëmijët e tij, Lily-Rose dhe Jack.
“Nëse janë të gatshëm të më paguajnë atë shumë marramendëse parash, sigurisht që do ta pranoj. Duhet ta bëj. E shihni, nuk është për mua. Po e bëj për fëmijët e mi tani”.
Rikthimi me Ebenezer vjen pas një periudhe të vështirë për karrierën e aktorit, e cila u ndikua ndjeshëm nga betejat gjyqësore me ish-bashkëshorten Amber Heard. Pas largimit nga produksione të mëdha amerikane, Depp vazhdoi të angazhohej në projekte të tjera filmike, ndërsa tashmë duket se po synon një kapitull të ri në industrinë e kinemasë.
Por mbetet për t’u parë nëse publiku do ta mirëpresë këtë rikthim dhe nëse Ebenezer do të rezultojë suksesi që i nevojitet karrierës së tij. Këtë herë, përtej pesë milionë dollarëve që do të marrë, aktori duket se ka vënë bast edhe mbi fitimet dhe të ardhmen e vetë filmit./mxh
