Last Updated on 16/11/2026 by Monika
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur mbështetjen për mundësinë e rikthimit të Jensen Huang në krye të kompanisë Nvidia, pas dorëheqjes së tij javën e kaluar për shkak të një skandali që përfshin dy marrëdhënie jashtëmartesore.
Ndërkohë, drejtues të njohur të industrisë së teknologjisë, mes tyre Elon Musk dhe Tim Sëeeney, po mbështesin një fushatë për rikthimin e tij në krye të gjigantit të çipave të inteligjencës artificiale.
“Nuk do të më vinte keq për këtë”, u tha Trump gazetarëve të hënën, duke iu referuar mundësisë së rikthimit të Huang. “Mendoj se ai mësoi një mësim të madh”, shtoi presidenti amerikan.
Huang dha dorëheqjen pasi u publikuan informacione për dy marrëdhënie jashtëmartesore. Njëra dyshohet se ishte me Alice Huang, një grua që autoritetet amerikane e dyshojnë si spiune të Kinës, ndërsa tjetra pretendohet se ishte me një drejtuese të Nvidia-s që raportonte drejtpërdrejt tek ai.
Largimi i tij ka shkaktuar një krizë në kompani, e cila është ndër më të vlefshmet në botë dhe ka një rol kyç në zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Më shumë se 175 mijë persona kanë firmosur një letër të hapur drejtuar bordit të Nvidia-s, përmes fushatës “Bring Jensen Back”, duke kërkuar rikthimin e Huang ndërsa vijon hetimi i brendshëm.
Nënshkruesit, mes të cilëve punonjës aktualë dhe ish-punonjës, partnerë e aksionarë, shprehin shqetësimin se ai u largua pa iu nënshtruar një procesi të drejtë shqyrtimi. Sipas “Financial Times”, Huang po diskuton me persona të afërt mundësinë e rikthimit, ndërsa përfaqësuesi i tij nuk ka pranuar të komentojë.
Në mbështetje të tij është pozicionuar edhe Elon Musk, i cili paralajmëroi se largimi i Huang mund të rrezikojë marrëveshje të rëndësishme biznesi. Sipas tij, shumë prej kontratave për furnizimin me teknologjinë e Nvidia-s janë ndërtuar mbi besimin dhe marrëdhëniet personale me ish-drejtuesin. Edhe aksionarë dhe drejtues të tjerë të biznesit kanë kërkuar që bordi të shqyrtojë mundësinë e rikthimit të tij.
Skandali ka ngritur gjithashtu shqetësime për sigurinë kombëtare amerikane, pasi po hetohet nëse çipat e avancuar të Nvidia-s, të dërguar drejt kompanisë së mëparshme të Alice Huang, Megaspeed, mund të kenë përfunduar në Kinë, në kundërshtim me kufizimet amerikane të eksporteve. Pekini ka mohuar se Alice Huang është spiune. Në këtë kuadër, administrata Trump ka vendosur rregulla të reja për eksportin e çipave të avancuar drejt disa vendeve, përfshirë Singaporin, Tajlandën, Malajzinë, Indonezinë dhe Brazilin, duke kërkuar licenca amerikane për të parandaluar devijimin e tyre drejt Kinës.
Huang ka rënë dakord të dëshmojë para Kongresit amerikan për të sqaruar nëse çështja ka cenuar sigurinë kombëtare, ndërsa FBI-ja po heton marrëdhënien e tij me Alice Huang.
Megjithatë, mundësitë për rikthimin e tij në krye të Nvidia-s konsiderohen të ulëta për sa kohë hetimet e brendshme janë ende në zhvillim. Për momentin, drejtimin e kompanisë e ka marrë drejtoresha financiare Colette Kress, e cila pritet të prezantojë rezultatet financiare të Nvidia-s./mxh
