Forcat besnike të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht në Jemen po përballen me një situatë gjithnjë e më të vështirë, pasi rebelët Houthë po avancojnë drejt qytetit jugor të Adenit dhe zonave të tjera strategjike të vendit.
Të dielën, forcat qeveritare njoftuan tërheqjen nga aeroporti i Dhubabit dhe pozicionet që kontrollonin pranë ngushticës së Bab al-Mandebit, në jugperëndim të Jemenit. Sipas tyre, ky vendim synon të shmangë rrethimin nga forcat Houthi dhe të përqendrojë mbrojtjen në Aden, i cili shërben si seli e përkohshme e qeverisë.
Sipas ekspertëve ushtarakë, zhvillimet vendimtare të konfliktit po përqendrohen në një zonë malore në jug të vendit, e cila lidh tre pika me rëndësi strategjike: Adenin, qytetin e Taizit dhe ngushticën e Bab al-Mandebit. Kjo e fundit lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe përbën një nga korridoret më të rëndësishme të tregtisë detare ndërkombëtare.
Gjeneral brigade në pension dhe ekspert ushtarak, Hassan Jouni, e cilësoi këtë zonë si qendrën strategjike të konfliktit në Jemen. Sipas tij, kontrolli mbi këtë territor mund të përcaktojë ecurinë e mëtejshme të luftës.
Tërheqja nga Dhubabi, i cili ishte rimarrë nga Houthët në shtator, rrezikon t’u lërë këtyre të fundit hapësirë për të ndërprerë plotësisht rrugët bregdetare të furnizimit të forcave qeveritare.
Situata është veçanërisht shqetësuese edhe për shkak të avancimit të Houthëve drejt Tor al-Bahasë, rreth 80 kilometra larg Adenit. Sipas Jounit, kjo zonë përbën tashmë vijën e parë të mbrojtjes së qytetit.
Ai vlerëson se objektivi kryesor ushtarak i Houthëve mbetet konsolidimi i kontrollit përreth Taizit, i cili është i rrethuar prej tyre, si dhe përparimi drejt Adenit për të vënë nën kontroll vijën e parë mbrojtëse të qytetit.
Ndërkohë, zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Jemenit, Majed al-Nuzaili, e mbrojti tërheqjen nga Dhubabi, duke e cilësuar atë si pjesë të një manovre më të gjerë taktike për mbrojtjen e Adenit dhe mbështetjen e forcave lokale të rezistencës.
Megjithatë, eksperti i çështjeve strategjike Ali al-Dahab dha një vlerësim më pesimist. Sipas tij, ajo që ndodhi nuk ishte një ripozicionim taktik, por një tërheqje që krijoi një boshllëk të konsiderueshëm territorial, të cilin Huthët arritën ta shfrytëzonin.
Përshkallëzimi rajonal
Përballë avancimit të Huthëve, qeveria jemenase ka intensifikuar operacionet ushtarake përmes asaj që e ka quajtur “Operacioni Agimi i Jemenit”. Sipas raportimeve, brenda 24 orëve janë kryer rreth 900 sulme ndaj pozicioneve të Houthëve.
Në kundërpërgjigje, Houthët kanë përdorur raketa balistike dhe dronë për të goditur objektiva në Mekë, Riad dhe Provincën Lindore të Arabisë Saudite. Ata kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë sulmet, duke shpallur strategjinë e tyre me parimin:
Rrethim për rrethim, aeroport për aeroport dhe përshkallëzim për përshkallëzim.
Sipas al-Dahabit, kjo strategji synon kryesisht të ushtrojë presion mbi Arabinë Saudite, aleaten kryesore ndërkombëtare të qeverisë jemenase, dhe jo drejtpërdrejt mbi autoritetet në Aden.
Rëndësia e këtyre zhvillimeve është shtuar edhe për shkak të kontrollit që Huthët kanë fituar mbi një pjesë të rëndësishme të bregdetit perëndimor të Jemenit, përgjatë Bab al-Mandebit. Kjo ngushticë ka marrë edhe më shumë rëndësi për tregtinë globale, pas ndërprerjes efektive të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, në kushtet e luftës mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit.
Sipas al-Dahabit, Huthët kontrollojnë tashmë sektorin bregdetar perëndimor të Jemenit dhe një pjesë të daljeve detare në drejtim të Adenit. Ky pozicion u jep atyre një avantazh të rëndësishëm gjeopolitik dhe mund të rrisë ndikimin e Iranit në një nga korridoret më të rëndësishme detare të rajonit.
Sfondi i konfliktit
Lufta në Jemen nisi në shtator 2014, kur Houthët, një grup i armatosur i besimit shiit zaidit dhe me lidhje të afërta me Iranin, morën kontrollin e kryeqytetit Sanaa, duke detyruar qeverinë të zhvendosej në jug, drejt Adenit.
Në mars 2015, Arabia Saudite udhëhoqi një koalicion ushtarak arab në mbështetje të qeverisë jemenase, duke nisur mijëra sulme ajrore kundër pozicioneve të Huthëve.
Pas disa vitesh me luftime më të kufizuara, përplasjet u intensifikuan sërish në korrik, kur avionët e forcave qeveritare goditën aeroportin ndërkombëtar të Sanaas, me synimin për të penguar uljen e një delegacioni të Huthëve.
Në shtator, një ofensivë e re e rebelëve u dha atyre kontrollin mbi pjesë të rëndësishme të bregdetit të Detit të Kuq, përfshirë qytetin portual të Mocha-s.
Përparimi vijoi më pas me rrethimin e plotë të Taizit.
Tashmë, avancimi drejt Adenit dhe kontrolli mbi zonën strategjike të Bab al-Mandebit rrezikojnë të ndryshojnë më tej ekuilibrat ushtarakë në Jemen, duke i dhënë Huthëve jo vetëm avantazh territorial, por edhe një instrument të rëndësishëm presioni ndaj Arabisë Saudite dhe aktorëve të tjerë rajonalë./mxh
