Autoritetet amerikane kanë lëshuar një paralajmërim sigurie për qytetarët amerikanë që ndodhen ose planifikojnë të udhëtojnë në Evropë gjatë sezonit të festave të fundvitit, duke u bërë thirrje të tregojnë kujdes të shtuar në zonat e mbipopulluara, atraksionet turistike dhe aktivitetet publike, për shkak të rrezikut të mundshëm të sulmeve terroriste.
Në njoftim theksohet se tubimet e mëdha dhe ngjarjet publike mund të bëhen shënjestra të organizatave terroriste ose grupeve kriminale, ndërsa sulmet e mundshme mund të ndodhin me pak ose aspak paralajmërim.
Vëmendje e veçantë u kushtohet edhe autorëve individualë, të cilët mund të zgjedhin si shënjestra tregjet e Krishtlindjeve, qendrat e transportit, qendrat tregtare, vendet e kultit dhe hapësira të tjera publike.
Autoritetet amerikane paralajmërojnë gjithashtu për mundësinë e ndërprerjeve të udhëtimeve dhe të aktiviteteve të përditshme në vendet evropiane gjatë kësaj periudhe. Sipas njoftimit, grevat dhe demonstratat janë shtuar në muajt e fundit, duke krijuar rreziqe të tjera për udhëtarët.
Një tjetër shqetësim lidhet me kërcënimet e rreme për bomba, të regjistruara gjatë muajit nëntor në disa vende evropiane dhe që kanë shënjestruar aviacionin civil, duke shkaktuar probleme dhe ndërprerje të fluturimeve.
Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë u rekomandohet të ndjekin mediat lokale për t’u informuar në kohë për zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë, transportin dhe aktivitetet e tyre të përditshme.
Ata nxiten gjithashtu të tregojnë vigjilencë të shtuar gjatë pjesëmarrjes në festivale dhe aktivitete festive, veçanërisht në vendet ku mblidhen shumë vizitorë, të vëzhgojnë mjedisin përreth dhe të ndjekin udhëzimet e policisë dhe shërbimeve të emergjencës në rast incidentesh.
Në kuadër të këtyre rekomandimeve, autoritetet amerikane u bëjnë thirrje qytetarëve që udhëtojnë ose banojnë jashtë vendit të regjistrohen në Programin e Regjistrimit të Udhëtarëve të Mençur (STEP), përmes të cilit mund të marrin përditësime mbi situatën e sigurisë në destinacionet ku ndodhen.
Paralajmërimi synon të rrisë vigjilencën gjatë sezonit të festave dhe nuk përmban të dhëna për një sulm terrorist të konfirmuar apo një kërcënim të afërt konkret.
