Gazetari Mentor Nazarko ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, duke i cilësuar lëvizjet e kryeministrit Edi Rama si një akt fuqie. Sipas tij, në Asamblenë e PS-së nuk pati kundërvënie serioze ndaj kryeministrit, ndërsa partia nuk arriti të shfaqej si një zë i pavarur në raport me zhvillimet politike.
Duke u ndalur te çështja e Elisa Spiropalit dhe propozimi për përjashtimin e saj, Nazarko tha në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN se mbetet e paqartë, nga pikëpamja juridike, se si një ish-kryetare e Kuvendit, e cila është automatikisht pjesë e Asamblesë, mund të përjashtohet, duke iu referuar statutit të PS-së.
Ai theksoi se, ndryshe nga rasti i Erion Veliajt, i cili kishte propozuar një mocion mosbesimi dhe kishte sfiduar mënyrën e drejtimit të pushtetit nga PS-ja, nuk pati kundërshti të tjera me karakter programor ndaj Ramës.
“E pashë si një akt fuqie, fuqie e cila u testua në rastin për propozimin për ta përjashtuar znj. Spiropali. Pse është akt fuqie? Sepse në komunikimin e z. Rama, por edhe të atyre që e kanë sfiduar, nuk na rezulton një kundërvënie e tipit programor, me përjashtim të z. Veliaj. Ai kishte propozim për mocion mosbesimi, e sfidonte në mënyrën si PS ka drejtuar pushtetin”, u shpreh Nazarko.
Gazetari u ndal edhe te pyetja nëse Edi Rama po ndryshon mënyrën e komunikimit, duke vënë në dukje se, pavarësisht ftesës së kryeministrit për të komunikuar ndryshe, Partia Socialiste nuk po shfaqet si një aktor më vete në përballjen me opinionin publik.
Sipas Nazarkos, kryeministri vijon të jetë i vetëm në këtë komunikim, ndërsa përballë kritikave që vijnë nga protestat, shoqëria civile dhe zërat publikë, nuk ka një kundërpërgjigje të artikuluar nga vetë PS-ja.
“Në fjalimin e tij kishte një ftesë për të komunikuar ndryshe. Nuk po shoh që të flasë PS, Rama vazhdon të jetë i vetëm përballë opinionit publik. Nuk ka kundërvënie ndaj atyre të vërtetave që formulohen nga protesta, shoqëria civile, influencerët, që janë në garë për dukshmëri, viralitet. Përballë tyre Rama është i vetëm, komunikon i vetëm”, deklaroi gazetari.
Gazetari Mentor Nazarko është ndalur te mënyra se si kryeministri Edi Rama po përballet me pakënaqësinë e qytetarëve dhe protestat e të rinjve, duke theksuar nevojën për një qasje më të moderuar dhe komunikim ndryshe.
Nazarko tha se format e protestës, përfshirë edhe ndjekjen e kryeministrit gjatë vizitave jashtë vendit, në Dublin dhe Bruksel, tregojnë se ekziston një pakënaqësi që duhet marrë në konsideratë.
Nazarko u shpreh se përveç masave ndëshkuese dhe paketës anti-dhunë, Rama duhet të shfaqë edhe pak urtësi dhe modesti.
“Ajo që prisja unë prej z. Rama, jo thjesht në Asamble, por edhe jashtë saj, është që ai duhet ta kuptojë se nëse ka pakënaqësi ndaj tij, qoftë edhe e një pjese të popullsisë, kjo tregon se ka një pakënaqësi. Nëse besojmë që një pjesë e popullsisë, e përfaqësuar nga ata të rinj protestues, ka zgjedhur këto forma kaq agresive të protestës, edhe duke e ndjekur kryeministrin, qoftë në Dublin, Bruksel etj., kjo tregon se ka një pakënaqësi”, u shpreh Nazarko.
“Përballë këtyre formave, kryeministri, përveç shkopit, masave represive, paketës anti-dhunë, duhet të ketë edhe karotën. Duhet të ketë, siç tha Komisioni Europian, një gjuhë tjetër ndaj opozitës. Duhet të kishte shfaqje të urtësisë, të modestisë nga ky kryeministër, për të vlerësuar atë që është moment unik për kombin tonë, këtë traktat për të cilin flasim”, deklaroi Nazarko.
