Ndërsa afrohen festat e fundvitit, qytetet e botës kanë nisur të vishen me dekorime dhe drita shumëngjyrëshe. Tregjet tradicionale, pemët gjigante të Krishtlindjeve dhe aktivitetet festive pritet të tërheqin miliona turistë, të cilët kanë nisur të planifikojnë udhëtimet e tyre për këtë periudhë.
Por cilat janë vendet ku atmosfera e Krishtlindjeve përjetohet më bukur?
Revista e udhëtimeve Time Out ka publikuar një listë me 22 destinacionet që ia vlen të vizitohen në vitin 2026. Në të përfshihen qytete të famshme për traditat e tyre të Krishtlindjeve, por edhe vende ku festat kalohen mes plazheve dhe temperaturave të ngrohta.
Në vendin e parë është Nju Jorku, ku atmosfera festive është e lidhur ngushtë me pemën gjigante të Rockefeller Center, vitrinat e zbukuruara të Fifth Avenue dhe dekorimet e shtëpive në lagjen Dyker Heights të Brooklyn-it. Në vendin e dytë renditet Londra, me rrugët e ndriçuara, tregjet buzë lumit Tamiz dhe shfaqjet e veçanta teatrale.
Podiumi plotësohet nga Laplanda në Finlandë, ku qyteti i Rovaniemit njihet si vendbanimi zyrtar i Babagjyshit. Shëtitjet me saja të tërhequra nga drerët dhe peizazhet e mbuluara me dëborë e bëjnë këtë zonë një nga zgjedhjet më të preferuara për familjet.
Në vendin e katërt është Kopenhageni, i ndjekur nga Edinburgu, ku përveç tregjeve të Krishtlindjeve organizohen edhe festimet tradicionale të Vitit të Ri, të njohura si Hogmanay.
Zagrebi renditet i gjashti, falë atmosferës së krijuar nga aktiviteti “Advent in Zagreb”, që sjell muzikë, tregje dhe pista patinazhi në sheshet e qytetit. Pas tij vjen Rejkjaviku në Islandë, ku traditat e veçanta të Krishtlindjeve ndërthuren me mundësinë për të parë Dritat Veriore.
Në vendin e tetë është Bryzhi në Belgjikë, një qytet me arkitekturë mesjetare që gjatë festave duket si një kartolinë Krishtlindjesh. Ndërsa vendi i nëntë i përket Sidneit në Australi, ku festat zhvillohen në mes të verës, me plazhe, koncerte dhe aktivitete në natyrë.
Dhjetëshen e parë e mbyll Nuuk, kryeqyteti i Groenlandës, ku vizitorët mund të shijojnë peizazhet arktike dhe Dritat Veriore. Një nga traditat më të veçanta të banorëve është festimi i Vitit të Ri dy herë, fillimisht sipas orës së Danimarkës dhe më pas sipas orës lokale.
Në vijim të listës janë disa nga qytetet më të njohura europiane për tregjet e Krishtlindjeve: Vjena në vendin e 11-të, Praga në të 12-in dhe Nurembergu në të 13-in.
Vendin e 14-të e mban Funchali, kryeqyteti i Madeirës në Portugali, i cili tërheq vizitorë me klimën e butë dhe spektaklin e fishekzjarrëve për Vitin e Ri. Pas tij renditet Colmari në Francë, i njohur për shtëpitë tradicionale, kanalet dhe tregjet e shumta festive.
Në pjesën e dytë të renditjes përfshihen edhe destinacione me tradita më pak të zakonshme. New Orleans në SHBA, në vendin e 16-të, ruan zakonin e ndezjes së zjarreve përgjatë lumit Misisipi në prag të Krishtlindjeve. Ndërsa Tokio, i renditur i 17-ti, tërheq vizitorët me ndriçimet spektakolare, pavarësisht se Krishtlindjet nuk janë festë zyrtare në Japoni.
Singapori renditet i 18-ti, me dekorimet përgjatë Orchard Road dhe aktivitetin “Christmas Wonderland” në Gardens by the Bay. Në vendin e 19-të është Kejptauni në Afrikën e Jugut, ku festat shoqërohen me diell, piknikë dhe aktivitete në natyrë.
Renditjen e mbyllin Marrakeshi në Marok, i cili ofron temperatura të buta dhe mundësi për të eksploruar tregjet tradicionale; Phuketi në Tajlandë, për ata që preferojnë pushimet në plazh; dhe Guatemala City, ku më 7 dhjetor zhvillohet tradita e pazakontë “Djegia e Djallit”, që simbolizon largimin e energjive të këqija përpara Krishtlindjeve.
Nga dëbora e Laplandës te plazhet e Tajlandës dhe Australisë, lista e Time Out tregon se Krishtlindjet mund të përjetohen në mënyra krejt të ndryshme, në varësi të traditave dhe atmosferës që kërkon secili udhëtar./ad
