Last Updated on 17/11/2026 by Anisa
Një incident i rëndë ka ndodhur para Kuvendit të Serbisë, ku deputetja e Partisë Progresive Serbe, Lidija Vukiçeviç, është sulmuar nga një grua, e cila i ka hedhur kos në kokë teksa ajo po ngjiste shkallët e Parlamentit. Videoja e saj u bë virale në internet, ku në të shfaqet gruaja duke i hedhur kos në kokë.
Pas ngjarjes, deputetja doli në një konferencë për mediat në hollin e Kuvendit, përpara nisjes së seancës konstituive, ku shprehu indinjatën për sulmin. Ajo deklaroi se ndihej shumë keq që ishte sulmuar nga bashkëkombësit e saj, duke e cilësuar incidentin të papranueshëm.
“Gjithë jetën dhe karrierën time ia kam kushtuar Serbisë dhe popullit tonë, për t’i dhuruar gëzim dhe për të dhënë më të mirën nga vetja. Por kemi arritur në një situatë ku sot, përpara Kuvendit Popullor, nuk mund të ndihesh i sigurt. Atëherë, ku mund të ndihesh i sigurt?”, u shpreh ajo.
Pavarësisht sulmit, deputetja deklaroi se nuk do të frikësohet dhe se do të vijojë të mbrojë bindjet e saj politike. Po ashtu ajo ka ngritur pikëpyetje se ku po shkon vendi me këto incidente.
“Mund të më hedhin edhe 30 litra kos, mund të bëjnë çfarë të duan, por unë ju pyes: Ku po shkon ky vend? Kush do ta drejtojë këtë vend, kur një deputet i popullit nuk është i sigurt përpara Parlamentit?”, deklaroi Vukiçeviç.
