Last Updated on 17/11/2026 by EL
Kompania amerikane e teknologjisë Apple do të dalë në gjyq në Paris në qershor të vitit të ardhshëm, nën dyshimet se ka penguar qëllimisht riparimin e disa modeleve të iPhone jashtë rrjetit të saj të autorizuar, duke nxitur kështu zëvendësimin e pajisjeve me modele të reja.
Çështja, e ngritur nga prokuroria franceze me akuzën e “pengimit të riparimit dhe rinovimit të pajisjeve”, konsiderohet një rast i paprecedentë. Organizata Stop Planned Obsolescence, e cila kishte depozituar një ankesë në dhjetor 2022, e ka mirëpritur vendimin për zhvillimin e gjyqit.
Apple ka kundërshtuar akuzat, duke deklaruar për AFP se ato janë të pabazuara.
Praktika e njohur si “vjetërsimi i planifikuar” lidhet me teknika që prodhuesit dyshohet se përdorin për të shkurtuar qëllimisht jetëgjatësinë e produkteve, veçanërisht pajisjeve elektronike, në mënyrë që konsumatorët të detyrohen t’i zëvendësojnë ato më shpesh.
Sipas burimeve pranë çështjes, Apple Distribution International dhe kompania mëmë Apple Inc do të përballen me një proces gjyqësor katërditor, që nis më 17 qershor. Ato akuzohen se kanë penguar riparimin e disa modeleve të iPhone për më shumë se dy vjet e gjysmë, nga nëntori 2021 deri në korrik 2024.
Në hetim përfshihen modelet iPhone XS, iPhone 12, 13, 14 dhe 15, si dhe iPhone SE i lançuar në vitin 2022.
Prokuroria dyshon se Apple ka konfiguruar programet e saj kompjuterike në mënyrë të tillë që riparimi i pajisjeve jashtë rrjetit të autorizuar të bëhej i pamundur. Një shembull është çaktivizimi i funksionit Face ID në rast se kamera zëvendësohej nga një servis i paautorizuar, ose mosfunksionimi i treguesit të gjendjes së baterisë pas ndërhyrjeve të tilla.
Sipas akuzës, këto praktika synonin të rrisnin shitjet e produktit kryesor të kompanisë dhe të ardhurat e saj, të cilat tashmë tejkalojnë 400 miliardë euro në vit, me rreth gjysmën e tyre që vijnë nga shitjet e iPhone.
Nëse shpallet fajtore, Apple rrezikon një gjobë deri në 300 mijë euro, si dhe një penalitet shtesë që mund të arrijë në 5% të të ardhurave vjetore. Sipas përllogaritjeve të publikuara, kjo shumë mund të arrijë rreth 21.7 miliardë euro. Kompania mund të përballet gjithashtu me kërkesa për dëmshpërblim nga klientët.
Ky nuk është rasti i parë që organizata Stop Planned Obsolescence ngre një çështje kundër gjigantit amerikan. Në shkurt të vitit 2021, Apple pranoi të paguante 25 milionë euro për shkak se nuk kishte informuar përdoruesit se përditësimet e softuerit mund të ngadalësonin funksionimin e modeleve më të vjetra të iPhone.
Marrëveshja erdhi pas reagimeve ndërkombëtare, pasi në dhjetor 2017 Apple kishte pranuar se versionet e reja të sistemit operativ iOS ngadalësonin performancën e telefonave të vjetër, bateritë e të cilëve kishin humbur një pjesë të kapacitetit të tyre.
