Last Updated on 17/11/2026 by EL
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim përfaqësuesit e Bordit Drejtues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi.
Gjatë bashkëbisedimit u shkëmbyen ide mbi forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë.
Presidenti Begaj vlerësoi partneritetin strategjik mes dy vendeve, duke theksuar se Shqipëria dhe Turqia po forcojnë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin ekonomik.
Në takim u konstatua se kjo marrëdhënie po zgjerohet përtej fushave tradicionale të tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, por edhe në atë të investimeve të drejtpërdrejta të sipërmarrjeve me kapital turk në Shqipëri që po kontribuojnë rëndësishëm në punësim edhe në eksportet shqiptare.
Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit vlerësoi angazhimin e institucioneve të shtetit turk dhe të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Turqi.
Duke iu referuar Forumit Ballkanik të Biznesit të mbajtur muajin e kaluar në Tiranë, Kreu i Shetit u shpreh se falë nismave të tilla Shqipëria po promovohet si qendër rajonale për takime e aktivitete biznesi.
Presidenti i Republikës vlerësoi, gjithashtu, bashkëpunimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi me institucionet shqiptare për përafrimin e standardeve evropiane në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian./et
