Last Updated on 17/11/2026 by EL
Një sfidë virale në rrjetin social TikTok ka përfunduar në tragjedi në Republikën Dominikane, ku një e re ka humbur jetën pasi është mbytur me një copë pule gjatë një loje me miqtë e saj.
Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin San Cristobal, ku Katia Araujo pësoi asfiksi pasi një copë pule i bllokoi rrugët e frymëmarrjes gjatë një sfide që po zhvillohej mes miqsh. Miqtë e saj kuptuan se e reja nuk po arrinte të merrte frymë dhe tentuan t’i jepnin ndihmën e parë, por pa sukses.
Më pas, një fqinj ndërhyri dhe e transportoi me një automjet drejt spitalit. Fatkeqësisht, kur mbërriti në institucionin shëndetësor, mjekët konstatuan se ajo kishte ndërruar jetë.
Sipas mediave të huaja, bëhej fjalë për një lojë që është bërë mjaft popullore në rrjetet sociale. Sfida kombinon lojën e njohur “gur, gërshërë, letër”.
Pjesëmarrësit luajnë mes tyre dhe fituesi ka mundësinë të hajë sa më shumë ushqim që mundet, ndërsa të tjerët duhet të vrapojnë drejt një pike të caktuar dhe të kthehen.
Vdekja e të resë ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, duke rikthyer vëmendjen te rreziqet që mund të fshihen pas sfidave virale.
Sfida të tilla, të cilat shpesh realizohen për të siguruar sa më shumë shikime dhe ndjekës, mund të kenë pasoja fatale, veçanërisht kur përfshijnë konsumimin e sasive të mëdha të ushqimit në një kohë shumë të shkurtër.
