Last Updated on 17/11/2026 by EL
Një raport i porositur nga qeveria britanike kërkon një reformë të thellë të sistemit të ndihmës sociale për të rinjtë, pasi më shumë se një milion persona të moshës 16 deri në 24 vjeç janë jashtë tregut të punës, arsimit dhe formimit profesional.
Raporti prej 267 faqesh, i drejtuar nga ish-ministri laburist Alan Milburn, propozon krijimin e një sistemi të veçantë mbështetjeje për këtë grupmoshë, duke zhvendosur fokusin nga pagesat direkte financiare drejt trajnimeve, praktikave profesionale dhe nxitjes së punësimit.
Sipas autorëve, pa ndërhyrje konkrete, numri i të rinjve në këtë situatë mund të arrijë në 1.27 milionë deri në vitin 2031. Milburn e cilësoi situatën si një krizë morale, duke theksuar se humbja e një brezi të tërë të rinjsh nuk duhet konsideruar si një realitet i pashmangshëm.
Raporti synon uljen e përqindjes së të rinjve që nuk janë në punë, arsim apo trajnim, nga 13% aktualisht në rreth 5% deri në vitin 2036, duke e afruar Britaninë me nivelin e Holandës. Sipas Milburn, në vitin 2025, vetëm Rumania kishte një përqindje më të lartë të të rinjve në këtë kategori sesa Britania.
Megjithatë, të dhënat e papunësisë paraqesin një panoramë tjetër. Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, papunësia te të rinjtë britanikë ra në 15.1% në tre muajt deri në shtator, megjithëse mbetet më shumë se trefishi i normës së përgjithshme prej 4.6%.
Britania renditet pak më mirë se mesatarja e Bashkimit Europian, prej 15.5%, ndërsa situata është më e rëndë në Spanjë, me 22.8%, Francë me 21.9% dhe Itali me 19.9%. Gjermania dhe Holanda kanë nivele dukshëm më të ulëta, përkatësisht 7.5% dhe 8.8%.
Dallimi mes papunësisë dhe numrit të të rinjve jashtë punës dhe arsimit lidhet me faktin se shumë prej tyre kanë hequr dorë së kërkuari punë dhe për këtë arsye nuk përfshihen në statistikat zyrtare të papunësisë.
Ndër propozimet kryesore të raportit është krijimi i një sistemi të ri përfitimesh, ku të rinjtë do të kenë një këshilltar personal dhe një plan individual për t’u integruar në tregun e punës. Ata do të kenë gjithashtu detyrimin të angazhohen në mundësitë e ofruara për punësim, ndërsa refuzimi i ofertave mund të sjellë reduktimin e disa përfitimeve financiare.
Raporti pranon se kjo qasje mund të bëjë që disa të rinj të marrin më pak mbështetje financiare në fazën fillestare të përfitimit të ndihmës sociale. Paralelisht, deri në vitin 2029 propozohet krijimi i një rrjeti kombëtar shërbimesh lokale që do të bashkojnë këshillimin për karrierën, ndihmën për punësim, kujdesin shëndetësor dhe mbështetjen praktike.
Për të nxitur kompanitë të punësojnë të rinj, raporti sugjeron rritjen e pragut të të ardhurave nga paga për të cilin punëdhënësit nisin të paguajnë taksa për punonjësit e moshës 21 deri në 24 vjeç. Gjithashtu, bizneset që punësojnë persona që kanë qenë jashtë tregut të punës, arsimit dhe trajnimit për të paktën gjashtë muaj, mund të përfitojnë një pagesë prej 3 mijë paundësh, rreth 3.400 euro. Mbështetje shtesë parashikohet për bizneset e vogla dhe punësimin e të rinjve me aftësi të kufizuara.
Sekretari për Punën dhe Pensionet, Pat McFadden, e cilësoi raportin si një plan ambicioz për një qasje të re ndaj të rinjve, duke bërë të ditur se qeveria ka rënë dakord paraprakisht me disa prej masave. Përgjigjja e plotë e qeverisë pritet të publikohet vitin e ardhshëm, e ndjekur nga një projektligj.
Ndërkohë, vështirësitë në tregun britanik të punës pasqyrohen edhe te të rinjtë që kërkojnë punësim. Abigail Gomes, 21 vjeçe, ka shtatë muaj që kërkon punë pas diplomimit universitar. Ajo thotë se konkurrenca është shumë e lartë, pasi një numër i madh të rinjsh aplikojnë për të njëjtin pozicion. Sipas saj, refuzimet e vazhdueshme dhe aplikimet e përsëritura krijojnë ankth, depresion dhe lodhje psikologjike. Së fundmi, ajo ka marrë një ofertë për një punë të përkohshme në sektorin e shitjeve gjatë periudhës së Krishtlindjeve.
