Last Updated on 17/11/2026 by EL
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka takuar sot në Bruksel Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos. Siç bën me dije ai përmes një reagimi zyrtar, në fokus të takimit ka qenë ecuria e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe hapat e mëtejshëm drejt përmbylljes së negociatave.
Ministri Hoxha theksoi se Shqipëria ka krijuar një momentum të fortë dhe real në rrugëtimin e saj evropian, i cili tashmë duhet të përkthehet në rezultate konkrete dhe të matshme.
“Shqipëria ka krijuar një momentum të fortë dhe real. Tani është koha ta përkthejmë në rezultate të matshme”, ka thënë ai.
Palët bënë një bilanc të progresit të Shqipërisë pas publikimit të Raportit të Progresit 2026, ndërsa shqyrtuan udhërrëfyesin e negociatave dhe diskutuan mbi perspektivën e procesit.
“Pas Raportit të Progresit 2026, fokusi është te ruajtja e ritmit të negociatave, mbyllja e kapitujve, zbatimi i Planit të Rritjes dhe përmbushja e reformave që na afrojnë çdo ditë me anëtarësimin. Me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare, Shqipëria vijon me vendosmëri kilometrin e fundit të rrugëtimit të saj evropian. Objektivi është i qartë: anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian”, shkruan Hoxha në reagimin e tij./ET
