Last Updated on 17/11/2026 by Monika
Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ASK) dhe Byroja e Sigurisë Publike (BSP) e MPB-së, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare greke të Zbulimit dhe shërbime të tjera partnere, kanë zbuluar një rrjet ndërmjetësues në Maqedoninë e Veriut të lidhur me një shtetas iranian, anëtarët e të cilit ndërmorën aktivitete përgatitore logjistike për të kryer një akt terrorist, vrasjen e një personi në Greqi.
Aktivitetet u ndërmorën në fillim të vitit 2026, në bashkëpunim me shërbime të huaja partnere.
U ndërmorën aktivitete operative-teknike dhe analitike për të zbuluar rrjetin e lidhur me shtetasin iranian Edris Jahangiri Mavane, i cili është identifikuar si një person i lidhur me aktorë të tjerë të përfaqësuar të shërbimeve iraniane të sigurisë dhe zbulimit përfshirë bosin e drogës Naxhi Sharifi Zindashti (Naji Sharifi Zindashti).
”Në lidhje me rrjetin e Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për individë të vendosur në strukturat kriminale në vend, të cilët, nën udhëzimet e drejtpërdrejta të shtetasit iranian, ndërmorën aktivitete përgatitore logjistike për të kryer një akt terrorist/atentat kundër një personi në Greqi”, thuhet në kumtesë.
Shkëmbimi i informacionit me shërbimet partnere të huaja zbuloi gjithashtu mënyrën e funksionimit të rrjetit, duke përfshirë mbajtjen e takimeve konspirative në territorin e vendeve të treta, përfshirë Iranin.
Në të njëjtën kohë, u konfirmuan lidhjet me shtetasin iranian, i cili tregohet si bartësi kryesor i veprimit të planifikuar terrorist.
Nga ASK-ja dhe BSP-ja vlerësojnë se lidhje të tilla përshtaten me përpjekjet e shërbimeve sekrete iraniane për të fshehur aktivitetet e tyre përmes rrjeteve kriminale me ndërmjetësim në vendet e treta, përfshirë Maqedoninë e Veriut.
Si një kontekst shtesë sigurie, ata theksojnë se në periudhën e kaluar, disa vende janë përballur me kërcënime dhe sulme terroriste nga aktorë të ndërmjetëm iranianë.
Nga ASK dhe BSP njoftojnë se do të punojnë për zbulimin dhe parandalimin e kërcënimeve të mundshme terroriste përmes elementëve nga Irani, si dhe ekspozimin e individëve të tjerë të përfshirë në rrjete të tilla./mxh
