Last Updated on 17/11/2026 by EL
Imazhi i Artan Lames i veshur me një uniformë ushtarake, është i njohur. Po aq pasioni i tij prej shtetari për te mbledhur, stema, flamuj, medalje, spaleta, heraldika që shënojnë historinë e shtetit shqiptar në elemente të veshjeve, uniformave e simbolikave kombëtare.
Nën titullin “Monarkia”, Qendra muzeale Garda “Trashëgimia për të gjithë” në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Shoqatën e Koleksionistëve të Shqipërisë, kanë çelur një ekspozitë me pjesë të koleksionit të Artan Lames.
Në një hapësirë te veçantë që ende bart frymën që la pas ai, që përçon po aq vizionin e tij për një muze dhe pasionin për të mbledhur në një vend, cikërrimat që identifikojnë periudha politike e historike të Shqipërisë, ekspozita shfaq flamuj origjinalë, stema, një penë, uniforma ushtarake, shkrepëse të viteve 1930, dëshmi nga koha e Princ Vidit, objekte personale të mbretit Zog, por edhe “mbretit” të motit të madh, Skënderbeut, qëndrojnë së bashku, duke i paraprirë, festave të nëntorit.
Një penë me të cilën Ahmet Zogu, firmoste, shfaqet si kurorë në qendër të ekspozitës, duke e risjellë mbretin në “fron” simbolikisht në një ekspozitë që duke hedhur dritë mbi elemente të monarkisë, bën të mundur një ripërfytyrim të viteve 1930, kur shteti shqiptar, nisi të merrte tipare evropiane, në një kapërcim, mes Orientit e Oksidentit.
Për secilat veshje, xhaketa, pantallona, kapela, këmisha, këpucë gjysmëceremoniale, armë, bereta, doreza ceremoniale ose të bardha, Lamja, mund të fliste me orë, duke treguar se ku u ble lënda e parë, ku u qep, kush e porositi, kur mbërriti, pse u kërkua dhe sa në ccfarë periudhash u përdor. Por, prej një viti e gjysmë, Artan Lame nuk është më. I ndarë nga jeta para kohe, ai la pas një koleksion të pasur që sot, menaxhohet nga e bija, Lisia Lame, që në gjurmët e të atit, po rindërton jo vetëm projektit e tij, por po mundohet tu japë jetë pengjeve që la pas i ati.
“Përshkrimet e stemave dhe medaljeve janë të sakta, se janë marrë nga libri i Artanit. Pjesa tjetër, bashkë me Bajram Peçin, kemi bërë ç’është e mundur për të rindërtuar historikun e tyre. Jo gjithnjë ia kemi dalë. Me siguri, po të ishte Artani, çdo gjëje do t’iu ndërronte pozicion e përshkrim, por në bëmë sa mundëm pa të”, tha Lisia Lame në çelje të ekspozitës.
Dhjetëra objekte që kanë qenë pjesë e jetës së shqiptare, që Artan Lame i ka shpëtuar nga zhudkja, që i ka blerë në ankande, që i ka mbledhur nga shtëpi që shuheshin e nga tregje të ndryshme, i japin frymë një Tirane tjetër, që zbehet e tkurret nga qiejgërvishësit duke harruar gjurmë historike të një kohe vendimtare.
“Monarkia” që u zhduk edhe për shkak të damkës së imponuar nga komunizmi ringjallet falë pasionit të një burri, që e kishte dashur shtetin si bir. Sot, kur ai nuk është më, pasioni i tij rindërton historinë e madhe mbi historitë e vogla. Dhe Artan Lame e kishte ditur gjithnjë këtë, ndaj punoi për një kohë, kur njeriu nuk është, por simbolet e shtetit mbijetojnë.
Foto nga ekspozita e Artan Lames:
