Last Updated on 17/11/2026 by Monika
Gjykata Kombëtare e Spanjës ka vendosur lirimin e përkohshëm, pa garanci pasurore, të një shtetasi shqiptar të arrestuar në Alicante, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për një dënim prej shtatë vitesh burg për trafik droge.
Shqiptari u arrestua të enjten e kaluar nga Policia Kombëtare spanjolle, në zonën e Playa de San Juan, pas një alarmi të regjistruar në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS), në kuadër të një urdhër-arresti europian të lëshuar nga Italia.
Çështja lidhet me një ngjarje të ndodhur më 11 nëntor 2004 në Bolonjë, ku shqiptari është shpallur fajtor për furnizimin e një personi tjetër me rreth 500 gramë heroinë, në bashkëpunim me një person të paidentifikuar.
Për këtë vepër, drejtësia italiane i ka caktuar një dënim prej shtatë vitesh burg, të cilin ai ende nuk e ka vuajtur.
Sipas dokumentacionit gjyqësor të përcjellë nga autoritetet italiane përmes sistemit europian të bashkëpunimit policor SIRENE, vendimi i dënimit është konfirmuar më 3 tetor 2023, ndërsa më pas Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit në Bolonjë ka lëshuar urdhrin për ekzekutimin e tij.
Shqiptari u paraqit të premten para gjyqtarit të Gjykatës Kombëtare në Madrid, i përfaqësuar nga avokati Roberto Sánchez Martínez, ku kundërshtoi dorëzimin te autoritetet italiane.
Gjykata vendosi lirimin e tij të përkohshëm pa garanci pasurore, por me disa masa detyruese deri në përfundimin e procedurës për dorëzimin e mundshëm në Itali.
Konkretisht, ai duhet të paraqitet çdo javë pranë organit gjyqësor më të afërt me vendbanimin, nuk mund të largohet nga territori spanjoll dhe duhet të dorëzojë pasaportën brenda 72 orëve.
Vendimi parashikon gjithashtu se shkelja e këtyre detyrimeve mund të sjellë arrestimin e tij dhe vendosjen në paraburgim, për të garantuar vënien në dispozicion të autoriteteve italiane.
Një tjetër element i marrë në konsideratë gjatë vlerësimit të gjendjes së tij personale janë lidhjet me Spanjën. Sipas burimeve pranë çështjes, shqiptari jeton prej rreth 15 vitesh në këtë shtet, ku disponon leje qëndrimi dhe është i punësuar.
Ndërkohë, procedura gjyqësore në Spanjë do të vijojë për të përcaktuar nëse do të miratohet kërkesa e Italisë për dorëzimin e tij, me qëllim vuajtjen e dënimit prej shtatë vitesh burg./mxh
