Gazetari Artan Hoxha ka folur mbrëmjen e sotme për grabitjen e 6 milionë eurove më 12 tetor në Elbasan nga disa persona të maskuar si efektivë policie.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha tha se hetimet për këtë ngjarje kanë marrë një tjetër rrugë. Sipas tij në vend që të hetohen autorët, autoritetet po merren me palën e dëmtuar.
Gazetari tha se kishte takuar Lorenco Zenellarin, i cili është pronari i banesës dhe personi ndaj të cilit drejtuar grupi i grabitësve.
Zenellari kishte treguar edhe për momentin kur personat e maskuar si skuadër speciale e policisë i kishin hyrë në banesë.
“Jo më larg se sot e kam takuar Lorenco Zenellarin, shumë interesant si personazh. Nga ajo ngjarje, nga 12 tetori dhe sidomos kur ne publikuam rastin këtu, hetimet atje kanë marrë një rrugë tjetër. Në vend që të kishin prioritet këtë skuadrën speciale, tani kanë filluar të merren me palën e dëmtuar, me romët. U kanë marrë telefonat romëve. Ato kanë qenë para të vjedhura të popullit grek, të ish-kryetarit të bashkisë. A i vajtën drejtorit të Spitalit të Fierit, që i kishte akoma zarfet?
Ajo që i kishte tronditur më shumë familjarët e familjes Zenellari ishte se si janë zhvilluar hetimet më mbrapa. Policia më shumë është marrë me këta, u ka marrë telefonat. Ka marrë telefonin e Lorencos, telefonin e nipit. Ai tha që tentativa e grupit që shkoi në banesë ishte ta merrnin peng. Kanë parë që nuk kishte para, kanë gjetur paratë e babait të tij. Kanë vepruar si policia, vetëm një person fliste dhe ai ka pasur urdhra të shkurtër: “Jemi policia, do vish me ne”. Dy celularë i futën në frigorifer.
Lorencos i kanë vënë prangat, mirëpo gjatë kohës që kërkonin në banesë, u bë shumë zhurmë, sepse në shtëpi kishte fëmijë të vegjël. Kjo bëri që të mblidhej gjithë lagjja dhe kjo e shpëtoi zotërinë në fjalë. Në momentin që ka dalë jashtë, kanë ardhur banorët e lagjes. Në veprim e sipër, këputi njërën nga prangat dhe autorët aty u larguan.
Është verifikuar se para se të ndodhte ngjarja, Lorenco kishte pak ditë që kishte ardhur nga Greqia. Këta e kishin informacionin. Tre muaj para se të ndodhte ngjarja, Lorenco kishte blerë një banesë dykatëshe në Elbasan. Edhe policia është interesuar se ku i gjeti paratë. Tani ata, në vend që të merren me autorët, kanë vazhduar të merren me Lorencin. Blerja e shtëpisë dykatëshe në Elbasan ka krijuar dyshimin se ajo zhurmë në Greqi ka të bëjë me këtë person.
Nga biseda që bëra sot, ai më tha se nuk e di se nga ishte personi që i vuri pistoletën. Romët kërkojnë mbrojtje nga policia, se me atë që u ndodhi kanë frikë. Ai vërtet është me dokumente greke, por nuk ka shkuar më në Greqi, edhe pse ka një banesë me qira në periferi të Selanikut. Ajo që ai kishte me shqetësim të madh ishte edhe mënyra se si po zhvillohen hetimet. Ai kishte marrë avokat, i ka kërkuar prokurorisë të kthehen telefonat mbrapsht. Policia ua kishte marrë telefonat për të parë nëse ka pasur veprimtari kriminale”, tha Hoxha.
Gazetari tha se ende nuk dihet se ku kanë shkuar paratë e grabitura, ndërsa shtoi se ajo që e bën këtë ngjarje të ccuditshme është fakti se hetuesit nuk po merren me autorët por me pronarin e banesës ku u morën.
“Policia nuk ka informacion, policia thotë se po heton. Do ta marrim vesh për paratë, se nuk kalon kaq kollaj kjo ngjarje. Pse erdhën te ti, i thashë, si e gjetën momentin dhe si të erdhën drejt e në banesë? Megjithatë, ajo që e bën historinë të çuditshme është fakti se nuk po merret njeri me autorët. Informacionet që ai ka janë se pse ata kanë dashur ta merrnin peng. Ata menduan se ky person i çon te sasia e madhe e parave. Dyshimi se ai ka blerë banesën ka bërë që informacioni paraprak për shumën e madhe, që ka lëvizur nga Greqia, të lidhet me të. Edhe pse ai i shkreti thotë që ka punuar shumë. Zenellari thotë se ata gjetën vetëm 3 mijë euro që i kishte fshehur babai.
Zotëria thotë se nuk është i përfshirë në këtë gjë, i rrezikohet jeta. Autoritetet duhet të zbulojnë kush ishte kjo skuadër. Pastaj vijmë te pjesa tjetër, të zbulojmë çfarë ndodhi. Në polici nuk ka nisur ndonjë hetim për grabitje. Sasia e parave atje është gjetur në një pronë të braktisur”, tha Hoxha./k.m
