Presidenti Donald Trump tha se një marrëveshje e mundshme për energjinë bërthamore mund te arrihet me Filipinet gjatë takimit me homologun e tij Ferdinand Marcos Jr. në një takim në Manila.
Trump tha se të dy vendet ndoshta do të bënin diçka të madhe për energjinë bërthamore.
“Përqafimi i teknologjisë amerikane nga Filipinet në projektin e tyre të parë modern bërthamor do të nënvizonte forcën e marrëdhënies së rëndësishme”, tha ai.
Uashingtoni ka zgjeruar bashkëpunimin e tij në mbrojtje me Manilën, një aleate e traktatit të ndërsjellë të mbrojtjes, me administratën Trump që miratoi shitje armësh me vlerë 5 miliardë dollarë.
Një nga sfidat kryesore të mbrojtjes së Filipineve është përpjekja e Pekinit për të forcuar pretendimet mbi territoret e diskutueshme në Detin e Kinës Jugore, ku anijet e të dy vendeve shpesh përplasen. CNN ka raportuar gjerësisht mbi konfrontimet midis Kinës dhe Filipineve në det këtë vit.
Trump tha se nuk ishte i shqetësuar për tensionin.
“Nuk jam aspak i shqetësuar për këtë. Do të merret në konsideratë”, tha ai.
Rruga ujore e gjerë, përmes së cilës kalojnë triliona dollarë tregti çdo vit, është një nga rajonet më të kontestuara të botës.
Trump tha të mërkurën se aleanca midis Uashingtonit dhe Manilës nuk ka qenë kurrë më e mirë.
“E vlerësoj shumë që na mirëpritët përsëri në Filipine, ndërsa riafirmojmë një nga aleancat më të vjetra dhe më të rëndësishme të Amerikës në Paqësor”, i tha Trump Marcos Jr.
Trump u prit me një qilim të kuq me nderime të plota ushtarake, ndërsa Marcos e priti në Pallatin Malacañang në Manila. Marcos e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij në pallat, ndërsa babai i tij sundonte vendin nën një diktaturë të rreptë përpara se familja e tij të ikte në mërgim dyzet vjet më parë.
Malacañang u bë rezidenca e Guvernatorit të Përgjithshëm Amerikan William Hoëard Taft në vitin 1901, gjatë periudhës së sundimit amerikan pas Luftës Spanjoll-Amerikane./k.m
