Dimri mund të sjellë pak melankoli, por ndryshimi i stinës ka edhe anën e tij emocionuese, sidomos kur bëhet fjalë për mundësitë e reja që na ofron moda. Me uljen e temperaturave, vjen edhe momenti për të nxjerrë nga garderoba palltot dhe xhaketat që kombinojnë ngrohtësinë me elegancën.
Këtë sezon, tendencat e veshjeve të sipërme premtojnë të sjellin alternativa për shije të ndryshme. Nga modelet klasike me kuadrate, te peliçet e shkurtra dhe jakat e theksuara, këto janë pesë stilet që pritet të jenë ndër më të kërkuarat gjatë dimrit 2026.
1. Palltot me kuadrate

Këtë dimër, frymëzohuni nga eleganca e fshatit anglez dhe investoni te palltot me kuadrate. Ky print klasik u dallua në pasarelat e koleksioneve të reja dhe tashmë ka nisur të shfaqet edhe në veshjet e stilit të rrugës.
Për momentin, motivet me kuadrate janë më të dukshme te xhaketat dhe pardesytë klasike, por me rënien e mëtejshme të temperaturave pritet të dominojnë palltot e trasha prej leshi. Një zgjedhje ideale për ato që duan t’i japin garderobës së dimrit një prekje klasike, pa hequr dorë nga stili.
2. Peliçet e shkurtra

Peliçet ekologjike u rikthyen fuqishëm sezonin e kaluar, duke fituar një popullaritet që nuk e kishin parë prej vitesh. Edhe këtë dimër pritet të mbeten në qendër të vëmendjes, por këtë herë me një ndryshim të dukshëm: modelet e shkurtra do të jenë ato që do të dominojnë.
Në vend të palltove të gjata, vëmendja zhvendoset te peliçet që përfundojnë te beli ose pak më poshtë tij. Ato janë një mënyrë e thjeshtë për t’i dhënë veshjes më shumë karakter, duke ruajtur njëkohësisht pamjen elegante.
3. Jakat e larta

Jaka e lartë dhe e ngritur, e njohur në botën e modës si funnel neck, nuk është një tendencë e re, por vitet e fundit është kthyer në një prej elementeve më karakteristike të veshjeve të sipërme.
Pasi ka fituar një vend të qëndrueshëm në garderobat tona, këtë sezon vazhdon të jetë po aq aktuale. Përveçse i japin palltos një pamje moderne dhe minimaliste, jakat e larta janë edhe praktike për ditët e ftohta, pasi ofrojnë mbulim shtesë në zonën e qafës.
4. Jakat me gëzof

Nëse nuk dëshironi të vishni një peliçe të plotë, por ju pëlqen kjo tendencë, jakat me gëzof janë alternativa ideale. Ato sjellin ngrohtësinë e nevojshme dhe i japin veshjes më shumë interes përmes kontrastit mes materialeve dhe teksturave të ndryshme.
Një jakë e tillë mund të transformojë edhe kombinimin më të thjeshtë të dimrit, duke i shtuar një element luksi dhe elegance. Mund ta zgjidhni te palltot klasike ose xhaketat, për një detaj që bën diferencën pa e tepruar.
5. Palltot dhe xhaketat praktike për çdo mot

Prakticiteti rikthehet në fokus këtë sezon, por kjo nuk do të thotë se duhet të sakrifikoni stilin. Koleksionet Vjeshtë/Dimër 2026 treguan se edhe veshjet më funksionale mund të kenë një identitet të fortë estetik.
Xhaketat e papërshkueshme nga uji, modelet puffer dhe palltot e trasha me tegela u shfaqën në pasarela, duke i dhënë një dimension të ri veshjeve të sipërme të dimrit. Këto modele janë ideale për ditët me mot të paqëndrueshëm, kur dëshironi të ndiheni rehat dhe të mbrojtura nga i ftohti, pa hequr dorë nga një paraqitje e kuruar./k.m
