Përgatiti: Leonard Veizi
Në mbrëmjen e 19 nëntorit 1977, një avion i kompanisë ajrore portugeze TAP, i tipit Boing 727-282, u përfshi në një nga tragjeditë më të rënda ajrore të ndodhura në territorin e Portugalisë. Fluturimi TP425, me destinacion ishullin e Madeirës, kishte nisur nga Brukseli dhe kishte bërë një ndalesë në Lisbonë, përpara se të vazhdonte drejt aeroportit të Funchalit.
Bordi
Në bord ndodheshin 164 persona, 156 pasagjerë dhe tetë pjesëtarë të ekuipazhit. Afrimi drejt aeroportit të Funchalit u bë në kushte të vështira atmosferike. Shiu, erërat e ndryshueshme dhe dukshmëria e kufizuar e bënin uljen veçanërisht të rrezikshme. Madeira, me relievin e saj malor dhe aeroportin e vendosur në një zonë të vështirë gjeografike, kishte qenë gjithmonë një sfidë për pilotët.
Tentativat
Ekuipazhi tentoi disa herë të ulej, por kushtet atmosferike nuk e lejuan një manovër të sigurt. Në përpjekjen e fundit, avioni preku pistën shumë më larg se pika e zakonshme e uljes. Boeing-u kishte përshkuar një pjesë të konsiderueshme të pistës përpara se rrotat të prekën asfaltin, duke i lënë një hapësirë tepër të kufizuar për frenim.
Pista ishte e lagur nga shiu dhe frenimi nuk dha efektin e nevojshëm. Avioni vazhdoi të lëvizte me shpejtësi, doli përtej fundit të pistës dhe u përplas me një urë prej guri, përpara se të përfundonte në një terren të pjerrët, rreth 28 metra më poshtë nivelit të aeroportit. Përplasja e shkatërroi trupin e avionit, ndërsa zjarri që shpërtheu pas saj e bëri katastrofën edhe më të rëndë.
Bilanci tragjik
Nga 164 personat që ndodheshin në bord, 131 humbën jetën: 125 pasagjerë dhe gjashtë pjesëtarë të ekuipazhit. Vetëm 33 persona mbijetuan, megjithëse shumë prej tyre u plagosën rëndë.
Hetimi e lidhi tragjedinë me një kombinim faktorësh, mes të cilëve kushtet e pafavorshme atmosferike, shpejtësia e lartë gjatë uljes, prekja e pistës shumë larg pikës së synuar dhe mundësia e fenomenit të akuaplanimit, kur shtresa e ujit në asfalt pengon kontaktin efektiv të gomave me sipërfaqen e pistës.
Aksidenti i Fluturimit 425 mbetet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e aviacionit portugez dhe një nga ngjarjet që nxori në pah rreziqet e operimit në aeroportin e Funchalit, ku terreni, erërat dhe kushtet atmosferike mund të ndërthuren në mënyrë të paparashikueshme.
