Last Updated on 18/11/2026 by Anisa
Lufta me Rusinë po përshpejton përhapjen e inteligjencës artificiale në Ukrainë. Nevoja për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve publike, pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme të luftës, ka nxitur zhvillimin dhe përdorimin e shpejtë të teknologjive të reja. Kështu deklaroi për Euronews drejtuesi i inteligjencës artificiale në Ukrainë, Roman Kyslyi.
Ndërsa vendi është kthyer në një terren testimi për teknologjitë ushtarake të bazuara në inteligjencën artificiale, përfshirë dronët autonomë, Ukraina po avancon edhe në përdorimin e kësaj teknologjie në administratën publike.
“Ne jemi ndër vendet e para që kemi nisur një asistent të inteligjencës artificiale për qytetarët”, tha Kyslyi, duke iu referuar aplikacionit qeveritar Diia, përmes të cilit qytetarët mund të marrin këshilla dhe të kenë akses në shërbimet publike.
Ukraina po zhvillon gjithashtu modelin e saj kombëtar të inteligjencës artificiale për përpunimin e gjuhës, duke përdorur të dhëna të mbledhura brenda vendit, përfshirë materiale kulturore dhe shkencore. Paralelisht, po bashkëpunon me gjigantin amerikan të teknologjisë Nvidia për ndërtimin e një infrastrukture sovrane të inteligjencës artificiale.
Sipas Kyslyit, përvoja e Ukrainës mund të shërbejë si model për vendet evropiane, veçanërisht për mënyrën se si teknologjia mund të vihet në përdorim me shpejtësi, pa ndërprerë shërbimet jetike për qytetarët.
“Arsyeja pse ne jemi kaq të shpejtë është se nuk kemi zgjidhje tjetër. Duhet të vazhdojmë të ofrojmë shërbimet, sepse ato janë thelbësore për qytetarët tanë”, u shpreh ai.
Rëndësia e platformës dixhitale është veçanërisht e madhe për ushtarët në vijën e frontit dhe për miliona ukrainas që jetojnë jashtë vendit. Përmes aplikacionit, qytetarët mund të kryejnë edhe procedura të rëndësishme civile, si martesa apo divorci, pa qenë nevoja të paraqiten fizikisht në institucionet përkatëse.
