Last Updated on 18/11/2026 by Monika
Një ngjarje me rrethana të paqarta po hetohet në Tiranë, pasi një 24-vjeçare dyshohet se ka rënë nga dritarja e pasme e një taksie, ndërsa shoqja e saj, që udhëtonte në të njëjtin automjet, akuzohet se ka dhënë deklaratë të rreme për atë që ndodhi.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 15 nëntorit, në rrugën e fshatit Mullet. Sipas policisë, 24-vjeçarja P. V. ka rënë nga dritarja e pasme e taksisë që drejtohej nga 47-vjeçari J. S. dhe ndodhet në spital, ku po merr mjekim.
Policia ka ndaluar shoferin, ndërsa ka proceduar penalisht pasagjeren tjetër, L. T., 23 vjeçe, pasi dyshohet se ka penguar zbulimin e së vërtetës dhe ka dhënë deklaratë të rreme.
Ende nuk dihet se si 24-vjeçarja ka rënë nga dritarja e taksisë, çfarë ka deklaruar shoqja e saj apo përse është ndaluar shoferi. Policia nuk ka dhënë hollësi të tjera për rrethanat e ngjarjes./mxh
