Sistemet e Komisionit Evropian janë goditur nga një sulm i madh kibernetik, duke ngritur dyshime se incidenti mund të ketë kompromentuar një sasi të madhe të dhënash personale, duke i lënë punonjësit në krizë.
“Komisioni beson se ka përmbajtur pjesën më të madhe të sulmit, por shkalla e plotë e dëmit mbetet e paqartë”, tha një zyrtar i BE-së për Playbook.
Sipas raportimeve, shërbimi i sigurisë kibernetike i institucioneve të BE-së, CERT-EU, zbuloi në fillim të këtij muaji se hakerat ndërkombëtarë përdorën ARTEX, një mjet të inteligjencës artificiale të disponueshëm publikisht, i projektuar për të zbuluar dobësitë në sistemet e informacionit.
“Komisioni Evropian mori masat e nevojshme në përgjigje të një fushate sulmi kibernetik që u zbulua. Sistemet individuale u vunë në shënjestër dhe, në përputhje me praktikën tonë të zakonshme, ne i informuam ata që u prekën”, tha zëdhënësi i Komisionit, Thomas Rainier, për Playbook.
Sipas Politico, ndërprerja e shkaktuar nga sulmi kibernetik ka zgjatur tashmë më shumë se 10 ditë, duke prekur Sysper, platformën e burimeve njerëzore të Komisionit për pagat, aplikimet për leje dhe fletët e orarit, si dhe MyPMO, sistemin e rimbursimit mjekësor.
Sipas një emaili të brendshëm të siguruar nga Playbook, Komisioni më herët këtë muaj mblodhi organin e tij më të lartë të menaxhimit të krizave të brendshme, Bordin e Menaxhimit të Korporatave, për një takim urgjent mbi incidentet kibernetike në vazhdim, me departamentin e shërbimeve dixhitale që urdhëroi intensifikimin e kontrolleve të sigurisë.
Ndërkohë, Komisionerja e Teknologjisë Henna Virkunen i informoi kolegët e saj në një takim të Kolegjit të Komisionerëve të mërkurën mbi masat e menjëhershme për të adresuar krizën.
Sulmi kibernetik në Komision i bashkohet një serie incidentesh të ngjashme në nivel ndërkombëtar, duke përfshirë ato që prekin Microsoft, bankat kryesore amerikane dhe Agjencinë Kombëtare të Sigurisë (NSA) të SHBA-së, si dhe sulmin kibernetik që synonte faqet e internetit të njohura si Air France, BBC dhe Zoom./k.m
