Koreja e Veriut po zgjeron impiantet e pasurimit të uraniumit në kompleksin e saj kryesor bërthamor në Yongbyon, sipas kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi.
Ky zhvillim është një tjetër tregues se Pheniani po ecën përpara me angazhimin e tij për të forcuar programin e tij të armëve bërthamore, në një kohë kur Presidenti i SHBA-së Donald Trump po shpreh interes për një takim të ri me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un .
Në një deklaratë drejtuar Bordit të Guvernatorëve të IAEA-së të mërkurën, Grossi tha se ndërtimi i një zgjerimi tjetër të impiantit origjinal të pasurimit të uraniumit në Yongbyon ka qenë në proces që nga mesi i shtatorit. Ai shpjegoi se pjesa e jashtme e zgjerimit të ri ishte përfunduar deri në fund të tetorit 2026.
“Zgjerimi i vazhdueshëm i programit të pasurimit të uraniumit të Republikës Popullore Demokratike të Koresë mbetet një shkak për shqetësim serioz “, theksoi ai.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike nuk ka pasur qasje në Yongbyon ose në objekte të tjera bërthamore të Koresë së Veriut që nga viti 2009 , kur Pheniani dëboi inspektorët e saj. Që atëherë, agjencia ka monitoruar zhvillimet në programin bërthamor të Koresë së Veriut duke përdorur imazhe satelitore dhe informacione me burim të hapur.
Koreja e Veriut e ka përshkruar kompleksin Yongbyon si “zemrën” e programit të saj bërthamor . Objekti ka impiante për prodhimin e uraniumit të pasuruar dhe plutoniumit të përshtatshëm për armë bërthamore .
Sipas vëzhguesve, Pheniani ka ndërmarrë hapa për të ndërtuar objekte shtesë të pasurimit të uraniumit , si në Yongbyon ashtu edhe në zona të tjera, pas dështimit të negociatave midis Kim Jong Un dhe Donald Trump në vitin 2019.
Vitin e kaluar, Ministri i Unifikimit i Koresë së Jugut, Chung Dong-yong, tha se Koreja e Veriut operonte katër impiante të pasurimit të uraniumit , të cilat ishin në funksionim të përditshëm.
Gjetjet e reja të IAEA-s vijnë ndërsa Donald Trump shprehu dëshirën për t’u takuar me Kim Jong Un gjatë vizitës së tij në Azi.
Megjithatë, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, sqaroi më vonë se nuk ishte planifikuar asnjë takim midis dy udhëheqësve gjatë vizitës së Trump në Kinë. Ai shtoi, megjithatë, se presidenti i SHBA-së është gati të fillojë një dialog të ri me Phenianin .
Kim Jong-un ka deklaruar në të kaluarën se mund të kthehet në tryezën e negociatave nëse Shtetet e Bashkuara braktisin “politikën e tyre armiqësore” ndaj vendit të tij dhe respektojnë statusin e tij si shtet bërthamor , siç e përshkruan ai.
Sipas ekspertëve, Pheniani kërkon të sigurojë njohjen ndërkombëtare si shtet bërthamor në mënyrë që të jetë në gjendje të kërkojë heqjen e sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj tij nga Kombet e Bashkuara./ad
