Fixhi ka shpallur gjendje katastrofe kombëtare për shkak të një thatësire të rëndë, e lidhur me fenomenin klimatik El Niño, e cila ka arritur nivele kritike dhe po kërcënon rezervat ujore, bujqësinë dhe blegtorinë në arkipelagun e Paqësorit Jugor.
Mungesa e zgjatur e reshjeve ka shkaktuar një situatë emergjente në disa zona të vendit, ku rezervat e ujit kanë rënë në nivele alarmante. Autoritetet janë detyruar të mobilizojnë cisterna për furnizimin e fshatrave që po përballen me mungesa të mëdha të ujit të pijshëm.
Thatësira lidhet drejtpërdrejt me fenomenin El Niño, i cili shkakton rritjen e temperaturave të ujërave sipërfaqësore në Oqeanin Paqësor dhe sjell ndryshime në modelet e erërave, temperaturat dhe reshjet në pjesë të ndryshme të globit. Në ishujt e Paqësorit, ky fenomen kufizon reshjet tropikale, duke përkeqësuar kushtet për furnizimin me ujë dhe zhvillimin e bimësisë.
Ekspertët paralajmërojnë se fenomeni aktual El Niño mund të jetë ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë.
Kryeministri i Fixhit, Sitthiveni Rambukka, tha se situata ka shkaktuar shqetësim të madh te banorët, të cilët po përballen me pasigurinë për furnizimin me ujë dhe pasojat e thatësirës në jetën e përditshme.
“Familjet në të gjithë Fixhin janë të shqetësuara për disponueshmërinë e ujit dhe ndikimin që thatësira e zgjatur po ka në jetën e tyre të përditshme”, deklaroi ai të mërkurën.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu vështirësitë e fermerëve, të cilët po përballen me rrezikun e dëmtimit të të korrave dhe humbjes së bagëtive.
“Prodhuesit janë të shqetësuar për të korrat dhe kafshët e tyre. Këto shqetësime janë reale”, u shpreh Rambukka.
Shpallja e gjendjes së katastrofës kombëtare i mundëson qeverisë të ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për përballimin e krizës, përfshirë kufizimin e konsumit të ujit, evakuimin e detyrueshëm të zonave më të prekura dhe rialokimin e fondeve publike për operacionet e ndihmës.
Përballë situatës, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të kursejnë ujin, të përdorin me përgjegjësi burimet e disponueshme dhe të bashkëpunojnë për të përballuar pasojat e ndryshimeve klimatike.
“Ne nuk mund ta kontrollojmë klimën, por mund të veprojmë menjëherë, të përdorim burimet tona me përgjegjësi dhe të qëndrojmë të bashkuar kundër ndikimeve të saj”, deklaroi ai./ad
