Last Updated on 19/11/2026 by Monika
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka cilësuar si të rëndësishëm dhe krejtësisht normal takimin trepalësh mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin, të zhvilluar në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Shenzhen të Kinës.
I pyetur nëse e shqetëson fakti që Trump iu drejtua Putinit me fjalën “mik” gjatë takimit, Rutte u përgjigj prerë: “Jo”.
Duke komentuar takimin mes tre liderëve, kreu i NATO-s theksoi se bëhet fjalë për drejtues të fuqive të mëdha bërthamore dhe se komunikimi mes tyre është diçka e natyrshme.
“Mos harroni, Rusia dhe SHBA-ja janë fuqi të mëdha bërthamore, ndërsa Kina është një fuqi bërthamore në zhvillim”, deklaroi Rutte, në Berlin, në margjinat e një takimi të vendeve që mbështesin Ukrainën.
“Është krejtësisht normale që këta njerëz të takohen… dhe të përpiqen të bien dakord për mënyrën më të mirë për të ecur përpara”, shtoi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Rutte foli gjithashtu për përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke deklaruar se ai ka bërë vazhdimisht përpjekje të jashtëzakonshme për të arritur paqen.
Ai i cilësoi këto përpjekje si ‘përpjekje herkuliane’, duke shtuar se mund ta lavdëronte Trumpin për angazhimin e tij në këtë drejtim./mxh
