Last Updated on 19/11/2026 by EL
Të ftuara në emisionin “Studio Live”, Dorina Prethi, nënkryetare e “Shqipëria Bëhet”, dhe Ariela Zeneli, aktiviste e Lëvizjes “Bashkë”, komentuan zhvillimet në opozitë, ftesën e Sali Berishës për bashkëpunim me partitë e reja dhe mundësinë e një koalicioni për zgjedhjet vendore.
Prethi deklaroi se “Shqipëria Bëhet” mbetet te formula e prezantuar në zgjedhjet e pjesshme, duke mbështetur kandidatë të pavarur dhe duke përjashtuar kategorikisht një bashkim me Berishën. Ajo theksoi se në këtë proces mbështesin Florian Binajn, ndërsa kundërshtoi idenë që përcaktimi i kandidatit dhe platformës të bëhet përmes sondazheve.
“Ne besojmë te formula që prezantuam në zgjedhjet e pjesshme dhe prisnim që partitë opozitare të afroheshin drejt një kandidati të pavarur. Ne nuk bashkohemi me Berishën dhe për këtë kemi qenë shumë të qartë. Nuk merremi me marrëveshje në prapaskenë dhe një bashkim me Berishën nuk do të ndodhë në asnjë rast. Ne mbështesim kandidatët e pavarur. Në këtë rast, ne jemi për Florian Binajn. Askush nuk ka pse të humbasë identitetin e tij politik. Ky është qëndrimi ynë në këtë proces zgjedhor.”- tha Prethi.
Nga ana tjetër, aktivistja e Lëvizjes “Bashkë”, Ariela Zeneli e konsideroi të përsëritur kërkesën e Berishës për bashkëpunim, duke theksuar se për partinë që ajo përfaqëson është vendosur një vijë e kuqe sa i përket mundësisë së një koalicioni me të. Sipas Zenelit, nuk mjafton vetëm të jesh në opozitë për të krijuar një bashkëpunim politik, pasi partitë e reja kanë dallime ideologjike dhe duhet të udhëhiqen nga parime e vlera të qarta.
“Është qesharake që Berisha vazhdon ende me të njëjtën pyetje. Ne si parti, kemi vendosur një vijë të kuqe. Gjykimi ynë është se nuk mund të bashkëpunojmë me të. Në një farë mënyre, ne jemi një parti politike jo thjesht kundërshtare e opozitës aktuale, por edhe antisistem. Në këto kushte, nuk mund të bashkëpunojmë me një bashkim opozitar që nuk përfaqëson asgjë të re.Ne, si parti të reja, përfaqësojmë ideologji të ndryshme.
Ka dallime të konsiderueshme ideologjike mes partive të reja dhe nuk mjafton vetëm të jesh në opozitë për të krijuar një bashkëpunim politik. Unë besoj se politika duhet të jetë morale dhe serioze.Mendoj se këto parti nuk janë treguar serioze me elektoratin që u ka dhënë votën. Në momentin që dikush bëhet pjesë e një koalicioni të tillë, duhet të marrë përsipër edhe përgjegjësinë për atë që ka ndodhur deri më tani, por edhe për atë që do të ndodhë në vijim. Një koalicion nuk mund të kërkojë mbështetje pa mbajtur përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e tij.”- u shpreh Zeneli.
Në vijim të diskutimit, Dorina Prethi u ndal edhe te parimet dhe vlerat që sipas saj, duhet të udhëheqin partitë e reja në vendimmarrjen politike.
“Ne, si parti të reja, duhet të mbështetemi te parimet dhe vlerat, të cilat duhet të na udhëheqin në çdo vendimmarrje politike. Vlerat që përfaqësojmë si ‘Shqipëria Bëhet’ nuk mund të kufizohen apo të lihen mënjanë. Kryetari ynë ka folur vazhdimisht për listat e hapura, garën dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve. Këto janë parime për të cilat kemi këmbëngulur dhe që duhet të jenë pjesë e çdo diskutimi politik.”- vijoi Prethi.
