Last Updated on 20/11/2026 by EL
Është hedhur këtë të premte në Nion të Zvicrës shorti për fazën me eliminim direkt të Ligës së Kombeve 2026/2027, duke përcaktuar përballjet çerekfinale dhe rrugën që do të ndjekin kombëtaret drejt finales së madhe.
Shorti ka rezervuar disa përballje të jashtëzakonshme, ku spikat dueli mes Spanjës dhe Francës, dy prej kombëtareve më të rëndësishme të futbollit europian. Një tjetër sfidë e fortë do të jetë ajo mes Holandës dhe Portugalisë, kampiones në fuqi të kompeticionit.
Çiftet çerekfinaliste:
Spanjë – Francë
Norvegji – Angli
Holandë – Portugali
Belgjikë – Gjermani
Ndeshjet çerekfinale do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, në periudhën 25-30 mars 2027. Skuadrat që janë renditur të dytat në grupet e tyre do të luajnë ndeshjen e parë në shtëpi, ndërsa fitueset e grupeve do të kenë avantazhin e ndeshjes së kthimit në fushën e tyre.
RRUGA DREJT FINALES
Shorti përcaktoi edhe skemën e gjysmëfinaleve, duke bërë të qartë se cilat kombëtare mund të përballen me njëra-tjetrën në fazën e katër më të mirave.
Në njërën anë të skemës, fituesja e çiftit Holandë-Portugali do të përballet me fituesen e duelit Spanjë-Francë.
Në anën tjetër, fituesja e Belgjikë-Gjermani do të ndeshet me kombëtaren që do të triumfojë në çiftin Norvegji-Angli.
Kështu, Spanja dhe Anglia mund të takohen vetëm në finalen e madhe, nëse arrijnë të kalojnë kundërshtarët e tyre në çerekfinale dhe gjysmëfinale.
KALENDARI I FAZËS FINALE
25-30 mars 2027: Çerekfinalet.
9 qershor 2027: Gjysmëfinalja e parë, Holandë/Portugali – Spanjë/Francë.
10 qershor 2027: Gjysmëfinalja e dytë, Belgjikë/Gjermani – Norvegji/Angli.
13 qershor 2027: Ndeshja për vendin e tretë dhe finalja e madhe.
Vendi organizator i fazës finale, ku do të zhvillohen katër ndeshjet vendimtare, do të përcaktohet më vonë.
Tashmë rruga drejt trofeut është e qartë. Portugalia do të kërkojë të mbrojë titullin e fituar në vitin 2025, ndërsa Spanja, Franca, Anglia, Gjermania dhe Holanda synojnë të arrijnë në majën e futbollit të Ligës së Kombeve./et
