Last Updated on 20/11/2026 by EL
Aktori i famshëm francez, Gerard Depardieu dhe shkrimtari Michel Houellebecq, janë në qendër të një hetimi gjyqësor të hapur nga Prokuroria e Parisit, lidhur me dyshimet për përdhunim në grup dhe sulme seksuale.
Sipas raportimeve të mediave franceze, përfshirë BFMTV dhe Mediapart, hetimi ka nisur pas një kallëzimi të depozituar më 12 maj 2025 nga një grua, e cila pretendon se është abuzuar seksualisht gjatë xhirimeve të filmit “Thalasso”, në vitin 2018. Filmi, me regji të Guillaume Nicloux, u publikua në vitin 2019.
Në atë kohë, gruaja ishte 32 vjeçe dhe pretendon se ishte kontaktuar për të interpretuar një rol në film. Sipas kallëzimit, asaj i ishte kërkuar të luante rolin e një vajze nga Europa Lindore, të përshkruar si prostitutë, e cila duhej të kërcente topless në një dhomë hoteli ku ndodheshin Gerard Depardieu dhe Michel Houellebecq.
Por, sipas pretendimeve të saj, gjatë kësaj situate ajo është përballur me abuzime seksuale. Në kuadër të hetimit, Depardieu dyshohet për përdhunim në grup, ndërsa shkrimtari Houellebecq dyshohet se ka pasur rol si bashkëpunëtor në këtë vepër. Ky i fundit akuzohet gjithashtu për sulm seksual.
Sipas BFMTV, hetimet po zhvillohen nga disa gjyqtarë hetues në Paris. Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë marrje në pyetje dhe asnjëri prej tyre nuk është njoftuar zyrtarisht për statusin e tij në hetim.
Prokuroria e Parisit nuk ka dhënë komente për çështjen, ndërsa as avokatët e Depardieu dhe as përfaqësuesit ligjorë të kallëzueses nuk kanë pranuar të prononcohen.
Kujtojmë se kjo nuk është akuza e parë për abuzim seksual ndaj aktorit francez. Më 13 maj 2025, Depardieu u dënua me 18 muaj burg me kusht për sulme seksuale ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit “Les Volets Verts”, në vitin 2021.
Hetimi i ri në Paris rikthen në vëmendje akuzat ndaj aktorit, ndërsa pretendimet e fundit ndaj tij dhe shkrimtarit Houellebecq mbeten objekt i procesit hetimor./et
