Last Updated on 20/11/2026 by EL
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i pyetur në lidhje me deklaratat dhe akuzat e bëra nga Elisa Spiropali një natë më parë në Top Story , për problemet e brendshme sipas saj të partisë dhe se Belinda Balluku është modeli më i keq i qeverisjes, ka thënë se nuk komenton fjalë për fjalë për askënd.
Ai tha se nga gjithë deklaratat e bëra nga deputetja e PS, mbështet atë për mungesën e meritokracisë, për të cilën thotë se mbetet një sfidë.
“Nuk mund të komentoj fjalë pas fjale askënd, por mund të marr vetëm subjektin e asaj që u parashtrua dhe që ka lidhje me meritokracinë, për të cilën, pa hezituar dhe pa e fshehur, do të thosha që ngelet një sfidë. Nuk mund të themi që ja kemi dalë 100% për të patur një administratë totalisht meritokratike, ashtu si kundër duhet thënë që janë bërë hapa të guximshëm dhe të mëdhenj për të depolitizuar, për të hequr duart 100% nga disa sektorë shumë të rëndësishëm dhe shumë delikatë, siç është për shembull arsimi. Ju e dini që portali tashmë ka fituar reputacionin si një proces i pakontestueshëm, i besueshëm për përzgjedhjen e mësuesve.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sektorë të tjerë, siç është policia e shtetit, diplomacia, mjekësia, portali i infermierëve, i mjekëve, pra. Do të thoja që na ngelet si sfidë, siç kemi bërë me këto sektorë, duhet ta shtrijmë në të gjithë administratën publike, ndaj sot kemi një ministri të re për administratën publike, pikërisht sepse ekzistojnë sfida të tilla, një ministri të re me një ministre të re me shumë eksperiencë dhe me shumë talent për ta drejtuar epokën e re, do të thoja unë, të administratës europiane të denjë për një Shqipëri në Bashkimin Europian. Nuk mund të komentoj thënie apo cilësime të kujtdo, sepse këtu janë për mendimet e mia, jo për mendimet e të tjerëve”, u shpreh Peleshi.
Ndërkohë i pyetur në lidhje me raportin e progresit për Shqipërinë, ku KE vlerëson efektivitetin e Kuvendit si të pjesshëm dhe shprehet se funksionimi i tij pengohet nga polarizimi i thellë politik, mungesa e dialogut mazhorancë-opozitë, Peleshi tha se është një problem për politikën shqiptare, dhe se kështu ka qenë gjithmonë.
“Polarizimi është e vërtetë që është një problem do të thoja për politikën shqiptare, kështu ka qenë gjithmonë, mbase në këtë fazë ku jemi tani edhe për shkak të zhvillimeve të tjera jashtë parlamentit, duhet ta pranojmë, politika, temperatura e politikës është rritur. Është normale që opozita në parlament të përpiqet të sillet në mënyrë më opozitare për të qenë kompatibël edhe me protestën që është jashtë parlamentit, pra, po bëj një koment mbase disi më të, më të guximshëm, sepse në pozicionin që kam, natyrisht nuk duhet që të tregojmë me gisht një në palë apo një palë tjetër, polarizimi është i dyanshëm. Jemi dhe në periudhën parazgjedhore, ju e dini sa herë afrohen zgjedhjet, palët largohen nga njëra-tjetra, gjuha politike bëhet më e ashpër, ne kemi një gjë për të cilën ka të drejtë progres raporti dhe për të cilën duhet të skuqemi të gjithë. Në parlamentin shqiptar dhe në të gjithë parlamentet e tjera, të paktën ato që unë njoh, ka debate të forta dhe këto janë normale. Por në parlamentin shqiptar ndryshe nga shumë parlamente që unë kam vizituar, politika bëhet personale. Përmenden emra, emra familjarësh, natyrisht të drejtpërdrejtë të deputetëve por dhe të familjarëve të tyre, të të afërmve të tyre, kjo gjë duhet të marrë fund por nuk mjafton me një urdhër nga lart apo nga poshtë, nuk mjafton të thuhet, kërkon kohën e vet të emancipimit edhe të maturimit.
Progres raporti në këtë pikë ka shumë të drejtë edhe për ne është një material pune, ashtu sikundër nuk mund të rri pa e thënë që përtej kritikave, vërejtjeve, fjalëve të mira, inkurajimeve, qëndron një fjali shumë pozitive për të gjithë shqiptarët, e tejkalon rëndësinë sa i përket një qeverie apo një mandati, fjalia ku i rekomandohet komisionit të fillojë të shkruajë traktatin e anëtarësimit. Kjo është faza finale e projektit më historik të Shqipërisë që është integrimi europian. Viti që po vjen është viti ku ne mbyllim teknikisht kapitujt. Pra në fund të 2027-ës detyrat e shtëpisë, siç e kemi thënë gjithmonë, për Shqipërinë përfundojnë.
Dhe të gjithë bashkë duhet të shkojmë në dyert e të gjithë parlamenteve të Europës për atë që është faza politike, që nuk varet shumë nga ne, por varet nga dinamikat e brendshme të shteteve, të parlamenteve, nuk është e thjeshtë sepse po fryn erëra të ekstremeve majtas dhe djathtas nëpër Europë, pra na pret një periudhë shumë e vështirë politike, por ne së pari të bëjmë detyrat tona që është mbyllja e kapitujve. Patjetër ka shumë të vërteta, gjithçka është e vërtetë do të thoja te ato që konstaton progres raporti.
Nuk duhet të lexojmë vetëm të mirat, duhet të lexojmë dhe kritika dhe t’i kthejmë në, në material pune. Ka vend për të bërë më mirë, natyrisht. Ne në këtë legjislaturë kemi bërë një hap të madh përpara me një komision të ri parlamentar që nuk ka ekzistuar më parë, që është komisioni i nismave qytetare dhe i mbikëqyrjes institucionale, që adreson pikërisht këtë nevojë për ta bërë parlamentin më të shëndetshëm në kuptimin e ushtrimit të funksionit të kontrollit parlamentar që është një nga tre funksionet kryesore të tij. Ka vend për të bërë më mirë”, u shpreh ai.
/et
