Festimi i 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 77-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri–Kinë bëri bashkë mbi 400 të ftuar në aktivitetin e organizuar nga Ambasada shqiptare në Pekin.
Përfaqësues të lartë të qeverisë kineze, mbi 90 ambasadorë, si dhe përfaqësues të institucioneve, akademikë, artistë, studentë, bashkëkombës dhe miq të Shqipërisë morën pjesë në festime.
Një moment veçanërisht emocionues ishte interpretimi i dy himneve kombëtare, atij shqiptar dhe atij kinez.
Ambasadori Riza Poda vlerësoi miqësinë tradicionale dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, duke rikonfirmuar angazhimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Në fjalën e tij, Poda theksoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet një prioritet kombëtar. Ai u ndal gjithashtu te zgjerimi i shërbimeve për shtetasit shqiptarë që jetojnë apo ndodhen në Kinë.
Atmosferën festive e pasuroi koncerti i artistëve shqiptarë, tenorëve Kastriot Tusha dhe Josif Gjipali, sopranos Ardita Meni dhe kuartetit instrumental, të cilët interpretuan vepra shqiptare, ndërkombëtare dhe kineze. /k.m
