Last Updated on 22/11/2026 by Monika
Të paktën gjashtë trupa janë nxjerrë nga rrënojat e një fabrike karamelesh në Indonezinë perëndimore, pas një zjarri të përmasave të mëdha që përfshiu ndërtesën. Ndërkohë, dhjetëra punonjës rezultojnë ende të zhdukur.
Sipas policisë indoneziane, zjarri shpërtheu të shtunën në një fabrikë karamelesh në rajonin Serang, në provincën Banten, në ishullin Java.
Ekipet e përbashkëta të emergjencës kanë nxjerrë nga objekti gjashtë qese me trupa, ndërsa nga 54 punonjësit e regjistruar, 42 rezultojnë ende të pagjetur. Njëmbëdhjetë prej tyre janë kthyer në shtëpi, ndërsa një tjetër po merr trajtim mjekësor.
“Po vijojmë gjithashtu koordinimin me familjarët dhe kompaninë për të verifikuar vendndodhjen e punonjësve që dyshohet se ndodheshin brenda fabrikës në momentin kur shpërtheu zjarri”, deklaroi drejtuesi i lartë i policisë, Maruli Ahiles Hutapea.
Ai shtoi se operacionet e kërkim-shpëtimit dhe evakuimit brenda ambienteve të prodhimit dhe zyrave do të vijojnë pasi të përfundojë procesi i ftohjes dhe autoritetet të konfirmojnë se ndërtesa është e sigurt për ndërhyrje.
Sipas policisë, zjarri nisi rreth orës 16:30 të së shtunës dhe u vu plotësisht nën kontroll në orën 06:30 të mëngjesit të së dielës.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga Agjencia Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit në Indonezi tregojnë ekipet e emergjencës duke kontrolluar rrënojat e nxira të ndërtesës.
Fabrika i përket kompanisë Fonusa Agung Mulia, e cila prezantohet si filial i kompanisë indoneziane të produkteve ushqimore UNIFAM.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e personave që ndodheshin në fabrikë në momentin e zjarrit.
